​KOK dhe “Gjirafa” arrijnë marrëveshje strategjike afatgjate

Sporte tjera 07 Gusht 2019 12:01

Dy ditë pas hyrjes në fuqi të Ligjit për Sponsorizim në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit, është nënshkruar edhe kontrata e parë për sponsorizim në sport.

Është platforma “Gjirafa” që kësaj radhe është bashkangjitur si partner i Komitetit Olimpik të Kosovës.

Në ceremoninë e nënshkrimit të kontratave mes KOK-ut dhe “Gjirafës”, drejtori i përgjithshëm i platformës “Gjirafa” Mërgim Cahani tha se sot po arrihet një marrëveshje e madhe.

“Jemi duke krijuar një partneritet shumë të madh të shërbimeve të “Gjirafës” së bashku me Komitetin Olimpik. Ky partneritet për “Gjirafën” është i veçantë. Ne jemi krenarë me prezantimin e sportistëve tanë, kështu që ky bashkëpunim është një nder i madh për ne”, tha Cahani.

Ndërsa i pari i Komiteti Olimpik të Kosovës Besim Hasani këtë marrëveshje e cilësoi të veçantë duke pasur parasysh faktin se ajo është e para pas hyrjes në fuqi të Ligjit për sponsorizime.

“Kjo ditë është e veçantë, pasi po bëhet nënshkrimi i marrëveshjes strategjike afatgjate mes KOK-ut dhe “Gjirafës”. Po e quaj të veçantë pasi kjo është marrëveshja e parë për sponsorizim pas hyrjes në fuqi të Ligjit për Sponsorizime. Ndërsa e dyta ka të bëjë me datën 7 gusht 2016 ku tri vjet më parë e tronditëm botën me një lajm të jashtëzakonshëm dhe pikërisht kjo ndodhi në Rio, ku Majlinda Kelmendi arriti ta rrëmbejë medaljen e artë”, tha Hasani.

-->