Berisha flet për Corrieren pas lëndimit – lexoni pjesë nga intervista

Kombëtarja 09 Gusht 2019 17:23

Valon Berisha u transferua në Lazio pas një sezoni të shkëlqyeshëm në Salzburg, por adaptimi në Serie A ishte proces i vështirë për të dhe një lëndim i pësuar gjatë sezonit edh më shumë ia komplikoi punët.

Sidoqoftë,  Berisha ka folur për objektivat e tij dhe të Lazios për sezonin e ardhshëm në një intervistë për të përditshmen sportive italiane “Corriere dello Sport”, transmeton Insporti.

Anëtari i kombëtares kosovare insiston se gjithmonë dëshiron të fitojë dhe për këtë e jep edhe atomin e fundit në fushën e blertë.

“E kam një mentalitet fitues. Dua vetëm të fitoj në ndeshje dhe në stërvitje. Dua ta arrij një status të formës së lartë dhe të luftoj për një vend titullari”, ka thënë fillimisht futbollisti i lindur dhe rritur në Norvegji.

“Para vitit të kaluar nuk kisha aq shumë lëndime. Isha ndalur vetëm një herë në të kaluarën”, ka shtuar Berisha.

Berisha është shprehur se është “i gatshëm të bëjë gjithçka” për ta ndihmuar Lazion që ta arrijë objektivin e madh sezonal: kualifikimin në Champions League.

Ai ka folur edhe për jetën e tij të re në Itali, ku thotë se nuk është aspak e lehtë dhe se ka presion për të huajt.

“Ishte mjaft e vështirë të vija në Romë dhe të qëndroja i vetëm. Familja ime ishte larg, e kam ndier largësinë”, tregon Berisha, që megjithatë thotë se bashkëkombësi i tij, portieri Thomas Strakosha e ka bërë të ndihet si në shtëpi dhe atë e konsideron si një vëlla.

Familja është diçka e shenjtë dhe e rëndësishme në jetën e çdo futbollisti.

Madje, ai e tregon edhe arsyen se përse nuk e kishte pranuar një ofertë nga liga angleze  kur ishte më i ri.

“Familja ka qenë gjithmonë e rëndësishme për mua. Dëshiroja të vazhdoja të studioja, nuk isha i sigurt për një të ardhme si lojtar”, ka përfunduar Berisha.