16 tetori është ‘Dita e Messit’: Ja si “zbriti në tokë” 15 vite më parë

Futboll 16 Tetor 2019 13:25

Ashtu si sot, jo më pak se 15 vite më parë, një Leo Messi shumë i ri po zbriste si meteor nga qielli në tapetin e gjelbër, duke luajtur për herë të parë me fanellën e Barcelonës (ekipit të parë), në një ndeshje zyrtare.

Kanë ndodhur gjëra nga ajo kohë, për të cilat ylli argjentinas meriton “t’i hiqet kapelja”.

Leo i ka tejkaluar të gjitha pritshmëritë, duke i befasuar edhe ata që e pikasën teksa luante në kategoritë e ulëta të klubit Blaugrana.

Sukseset kolektive dhe individuale që ka grumbulluar nga ajo ditë përbëjnë një “monument” historik e stratosferik, që kush nuk ka të ngjarë ta arrijë e kapërcejë për shumë vite.

Sot, ai do të fitojë të gjashtën “Këpucë të Artë” në karrierë (2009-2010, 2011-2012, 2012-2013, 2016-2017, 2017-2018 dhe 2018-2019), një çmim që e vlerëson si golashënuesin më të mirë në Evropë, nga sezoni i kaluar.

Ai është lojtari që e ka fituar më shumë herë këtë trofe prestigjioz.

Debutimi

Atë 6 tetor 2004, Frank Rijkaard e aktivizoi për herë të parë Lionel Messin, i cili ishte vetëm 17 vjeç. Ekipi i parë i Barçës luajti atë ditë në fushën e Espanyolit, në një ndeshje që korrespondonte me javën e shtatë të La Ligas.

Ishte minuta e 82-të, kur ish-trajneri holandez e hodhi argjentinasin në fushë në vend të portugezit Deco. Ai mbante veshur fanellën me numrin 30.

Që nga ajo ditë, Messi ka qenë në gjendje të ketë një karrierë të shkëlqyeshme dhe të ngjitet në “Olimpin” e futbollit, së bashku me emra mitik si Cruyff, Maradona, Pelé, Ronaldo, Di Stéfano.

Statistikat dhe rekordet që ka grumbulluar gjatë këtyre viteve e bëjnë atë në sytë të gjithëve lojtarin më të mirë në histori.

Gjashtë “Këpucët e Arta” të lartpërmendura, pesë “Topat e Artë”, një “FIFA The Best”, 36 tituj me Barcelonën dhe ekipin kombëtar argjentinas, 419 gola në La Liga, 112 gola në Ligën e Kampionëve dhe 68 gola të tjerë me kombëtaren argjentinase, e përshkruajnë më së miri këtë jashtëtokësor.

Në total, ai ka shënuar 671 gola në 8 ndeshjet që ka luajtur.

-->