Barcelona kthehet me vetëm një pikë

Futboll 14 Dhjetor 2019 18:01

Barcelona është ndalur me barazimin 2:2 në udhëtim te Real Sociedad, në ndeshjen e javës së 17-të të La Ligas.

Me këtë rezultat, Barça mbetet në krye, por në rast të një fitoreje të Realit mund të zbresë në vend të dytë. Ndërsa Sociedad vazhdon sezonin e mirë dhe aktualisht është në vend të katërt.

Ishte lojtari i përfaqësueses spanjolle Oyarzabal ai që ka kaluar vendasit në avantazh me golin e shënuar nga pika e bardhë e penalltisë në minutën e 12-të.

Barça reagoi në fund të pjesës së parë me Antoine Griezmann, i cili shfrytëzoi mirë një pasim nga Suarez.

Pas pushimit Luis Suarez ka shënuar golin e avantazhit për mysafirët, pasi Messi e vendosi me portën e boshatisur. Megjithatë, Sociedad nuk u demoralizua, përkundrazi, rriti intensitetin dhe gjeti golin e barazimit me suedezin Isak.

Vendasit kishin disa mundësi të mira për të kaluar sërish në avantazh, por porta e Barçës ka shpëtuar për mrekulli. Rezultati mbeti i pandryshuar deri në fërshëllimën e fundi, megjithëse lojtarët e Barcelonës protestuan për një penallti në kohën shtesë.

-->