25 vjet nga miqësorja e parë me Shqipërinë – shikoni çfarë përbërje ka pasur Kosova atëherë

Kombëtarja 29 Maj 2018 11:58

Kosova dhe Shqipëria takohen sot në Zvicër në një ndeshje shumë të pritur miqësore. Por sivjet shënohet edhe një jubile shumë interesant për të dyja këto përfaqësuese – 25 vjetori i ndeshjes së parë miqësore Shqipëri – Kosovë, të zhvilluar në shkurt të vitit më 1993.

Fiks çerek shekulli kanë kaluar nga takimi që shumë kush e quajti historik, nga dueli midis reprezentacionit të Kosovës që udhëhiqej nga trajneri Ajet Shosholli, i ndihmuar nga Bylbyl Sokoli e Fatmir Zhubi si dhe Sabit Bogujevci si trajner i portierëve dhe atij të Shqipërisë ku krye trajner ishte Bejkush Birçe.

Udhëtimi dhe ndeshja ishte përcjellë nga shumë vështirësi dhe probleme, por në histori ka mbetur e shënuar se Shqipëria ka fituar me rezultat 3;1, kurse golin e parë për Shqipërinë e kishte shënuar Eduard Abazi, futbollisti i parë nga Shqipëria që kishte luajtur në Ligën e Parë Federative të Jugosllavisë – kur kishte ikur nga regjimi i atëhershëm që po rrëzohej dhe kishte siguruar vend në ekipin e Hajdukut të Splitit.

Një autogol e kishte shënuar menjëherë Bardhec Seferi dhe Indrit Fortuzi, sulmuesi shumë vjeçar i Tiranës kishte shënuar golin e tretë për Shqipërinë, raporton Insporti duke u bazuar në shënimet e kohës.

Për Kosovën golin e vetëm në këtë ndeshje e kishte shënuar Kushtrim Munishi, i cili më vonë do të kalonte edhe një pjesë të karrierës së tij në Shqipëri, konkretisht tek Partizani.
Edhe pse përfaqësuesja e Kosovës ishte mbledhur në mënyrë të ngutshme dhe shumë lojtarë që luanin jashtë në atë kohë, nuk kishin gjasa të vinin, ky ekip ka pasur në radhë te veta, emra që për nga cilësia, sot e kësaj dite mbeten të paarritshëm nga gjeneratat e sotme.

Blerim Vula, atëbotë zyrtar i FFK-së, për Insportin tregon edhe një rast që sot e kësaj dite, përflitet si anekdotë.

“Nikoqiri ynë nga FSHF-ja ishte shkodrani Pëllumb Velo. Kur unë i prezentova ate me Bylbylin – ai po thot Pellumbi, ky Bylbyli. E shikuan aq çuditshem njeri tjetrin duke menduar se po tallen. Vetëm pasi i prezantova me emër e mbiemër, disi u qetesuan”, tregon Vula.


Sipas shënimeve që Insporti ka gjetur përbërja e Kosovës që shihet edhe në foto, ka qenë kjo:
Në këmbë nga e majta: Bylbyl Sokoli (nd. tr.), Genc Hoxha, Ahmet Beselica, Fadil Berisha, Selaudin Jerliu, Gani Llapashtica, Bardhyl Seferi, Fatmir Zhubi;
ulur: Nexhmedin Statovci (fizio.), Sabit Bogujevci (trajner i portierëve.), Isa Sadriu, Ardian Kozniku, Muharrem Saiti, Sadullah Ajeti, Kushtrim Munishi