3 vjet nga suksesi historik i Kosovës

Kombëtarja 19 Gusht 2020 13:56

Më 19 gusht 2017, Kosova kishte arritur një sukses të jashtëzakonshëm në basketboll.

Basketbollistët e Kosovës me fitoren 75:69 ndaj Estonisë kaluan me sukses fazën e parakualifikimeve për Kupën e Botës “Kina 2019”.

Dardanët në parakualifikime ishin në grup me Estoninë dhe Maqedoninë, duke u renditur e dyta, pas Estonisë dhe para Maqedonisë.

Ky ishte një sukses i madh, pasi ishte hera e parë që merrte pjesë në parakualifikimet për Kupën e Botës dhe siguroi kualifikimet e fazës tjetër, ku garonin 32 shtete.

Kosova ishte pranuar vetëm dy vite më parë në FIBA (viti 2015), megjithatë, basketbollistët e Kosovës me një angazhim të madh zhvilluan lojëra të bukura dhe arritën rezultate shumë pozitive.

Ndeshja e fundit në parakualifikime ndaj Estonisë ishte me shumë emocione dhe dramë, ku përballja e zhvilluar në Prishtinë në një atmosferë të jashtëzakonshme përfundoi me fitoren e Dardanëve, që ishin duke humbur në pjesën e parë, por u rikthyen fuqishëm në pjesën e dytë për të triumfuar dhe kualifikuar tutje.

-->