6 vite e gjysmë burg për ish-zyrtarin që vodhi para nga transferimi i Modriç e Lovren

Futboll 06 Qershor 2018 18:50

Ish-presidenti i klubit kroat, Dinamo Zagreb, Zdravko Mamiç, i cili deri vonë ishte këshilltar i skuadrës kroate, është dënuar me gjashtë vite e gjysmë burg.

Bashkë me të, u akuzuan dhe u shpallën fajtor edhe vëllai i tij Zoran Mamiç, drejtori sportiv i Dinamo Zagreb, Damir Vrbanoviç, si dhe zyrtari i autoritetit fiskal të Kroacisë, Milan Pernar.

Personat në fjalë pikërisht sot (e mërkurë), u shpallën fajtor për vjedhjen e 116 milionë kunave apo rreth 16 milionë euro, nga klubi Dinamo Zagreb, e po ashtu të njëjtit, i kanë shkaktuar edhe shtetit kroat një dëm prej 1.6 milionë euro.

Derisa të gjithë janë dënuar me burg, dënimin më të rëndë e mori pikërisht ish-presidenti i Dinamo Zagrebit, Zdravko Mamiç, i cili u dënua me 6 vite e gjysmë, si koka e organizimit të këtij krimi.

Milan Pernar dhe Zoran Mamiç rezultuan të pafajshëm nga akuza e parë, por u shpallën fajtorë për rolin e uljes së detyrimeve fiskale të Mamiçit, apo për marrje e dhënie ryshfeti, kurse vet Zdravko Mamiç u shpall fajtor për të gjitha akuzat që rëndonin mbi të.

Ajo çfarë doli nga hetimi, me ç’rast të gjithë u shpallën të fajshëm gjithashtu, ishte edhe vjedhja e një shume të hollash nga transferimi i Dejan Lovren e Luka Modriç.

Për të gjitha këto akuza, Milan Pernar u dënua me 4 vite e dy muaj, Zoran Mamiç me 4 vite e 11 muaj, ndërsa Damir Vrbanoviç me 3 vite burgim.

Në momentin e shpalljes së vendimit, asnjë nga të pandehurit nuk ishin të pranishëm në gjykatë, përfshirë edhe personin kryesor të këtij krimi, ish-presidentin e Dinamo Zagreb, Zdravko Mamiç, i cili ditën e djeshme, një ditë para se të merrej vendimi, njoftoi se ishte në Bosnje-Hercegovinë, por tha se nuk do t’iu shmangej autoriteteve. /Insporti.com

 

-->