Pas eliminimit nga Champions League, kjo është rruga evropiane e Prishtinës

Basketboll 22 Shtator 2018 22:18

Nënkampioni i Kosovës në basketboll, Z Mobile Prishtina, edhe pse me 20 pikë diferencë kishte fituar në takimin e parë të xhiros së parë të kualifikimeve për Ligën e Kampionëve, ndaj ekipit holandez Gronningen, në ndeshjen e dytë humbi me 25 pikë dallim në Holandë dhe u eliminua nga Liga e Kampionëve.

Ndeshja e sontme do të përflitet shumë edhe për shkak të incidentit midis basketbollistëve të Prishtinës.

Për ekipin kryeqytetas kjo është hera e dytë që nuk arrin të kalojë xhiron e parë të kualifikimeve, meqë sezonin kaluar, po në këtë fazë të garave u eliminua nga kampioni i Bjellorusisë Tsmoki Minsk.

Sidoqoftë, rruga evropiane për Z Mobile Prishtinën nuk përfundon këtu. Insporti raporton se ky ekip do të bëjë gara në FIBA Europe Cup, ku i takon e drejta e pjesëmarrjes që nga faza e grupeve.

Madje qysh tani dihet se Prishtina, do të jetë në grup me ekipin danez Bakken Bears, Steauan e Bukureshtit dhe me një ekip tjetër nga kualifikimet për Europe Cup.

Insporti raporton se garat në FIBA Europe Cup, Z Mobile Prishitna do ti vazhdojë në mesin e muajit tetor, kurse këtë sezon është kthyer të garojë edhe në ligën ballkanike BIBL.