Marquez, tjetër hap drejt titullit

Moto GP 23 Shtator 2018 15:17

Marc Marquez me Honda fitoi garën e radhës së Botërorit të Moto GP, atë të zhvilluar në pistën spanjolle në Aragon, duke hedhur një tjetër hap drejt rikonfirmimit kampion bote.

Në garën e shtëpisë, piloti spanjoll arriti të triumfojë pas një dueli “rrotë më rrotë” me rivalin e tij kryesor për titullin kampion, italianin Andrea Dovizioso (Ducati), që u klasifikua në vendin e dytë.

Në podium u ngjit edhe një tjetër pilot italian, Andrea Iannone me Suzuki, që bëri një garë të mirë bashkë me shokun e tij të skuadërs Alex Rins, që u rendit i katërti.

Për Marquezin ky është suksesi i gjashtë në këtë Botëror, duke shkuar në 72 pikë epërsi karshi Doviziosos me 5 gara nga fundi. Gara nis me surprizë që në start, pasi që në kthesën e parë rrëzohet Jorge Lorenzo, që dje siguroi “pole position”, duke i hapur kështu rrugën duelit mes Marquez e Dovizioso, me italianin që e kryesoi garën shumicën e kohës. Por xhirot e fundit sfida bëhet e fortë, ku herë kryesonte Marquez e herë Dovizioso, madje në një moment përfshihet edhe Iannone.

Pilotët e Suzukit duelojnë, por jo mjaftueshëm për të fituar garën, pasi kjo është një çështje mes dy më të mirëve. Marquez mbrohet mirë nga sulmet e Doviziosos dhe korr një fitore të merituar para fansave të tij, duke hedhur një hap të sigurt drejt titullit kampion. Një garë të mirë bëri edhe Valentino Rossi, që e nisi atë nga vendi i 18-të dhe e mbylli në të tetin, ndërsa shoku i tij i skuadrës Maverick Vinales u rendit në vendin e 10-të. Gara e radhës e Botërorit, më 7 tetor në Tajlandë.

 

-->