Bashkimi – Ponte Prizreni, ja çfarë thotë Arbnor Rifati

Superliga 06 Tetor 2018 21:10

Prizrenasit nesër mbrëma kanë arsye të jenë në Palestrën e Sporteve “Sezai Surroi”. Për herë të parë në histori të basketbollit kosovar, përballë njëra –tjetrës do të jenë dy skuadra nga ky qytet, kampioni aktual Bashkimi dhe skuadra debutuese, Ponte Prizreni.

Arbnor Rifati, trajner i Ponte Prizrenit,  në prag të ndeshjes së nesërme shprehet i kënaqur për dy arsye. “Është ndjenjë shumë e mirë që për herë të parë në histori të basketbollit dy skuadra prizrenase do të përballen në kuadër të Superligës. E dyta, jam i kënaqur edhe për faktin që e kemi nisur mirë kampionatin dhe në dy ndeshjet e para kemi po aq fitore”, ka thënë Rifati për Insporti.com.

Ai është shprehur optimist që Ponte Prizreni do të ketë një edicion të suksesshëm, por pa u ngarkuar me ndonjë arritje të veçantë. “Jemi skuadër e re, kemi një fond solid të basketbollistëve, buxhet të konsoliduar për këtë vit, kështu që presim të kemi një kampionat në fund të të cilit do të jemi të kënaqur”, ka theksuar trajneri prizrenas.

Në fund edhe disa fjalë për ndeshjen e nesërme. “E sigurt është se do të jetë një ndeshje interesante. Përparësia jonë është në aspektin psikologjik, pasi i kemi dy fitore në dy ndeshjet e para, ndryshe nga Bashkimi që nuk e ka nisur mirë kampionatin”, është shprehur Rifati./Insporti/