812 milionë euro nuk i mjaftuan Guardiolas për ta fituar Championsin

Futboll 18 Prill 2019 12:43

Eliminimi i Manchester Cityt nga Liga e Kampionëve, ka shkaktuar zhurmë në Angli, duke filluar llogaritë për presidentin e klubit, Mansour Bin Zayed Al-Nahyanda si dhe për trajnerin Pep Guardiola.

Trajneri katalanas, në sezonin e tretë në Premier League, ka bërë një revolucion të vërtetë duke transferuar 25 futbollistë të ndryshëm, pa llogaritur futbollistët nga akademia.

Guardiolës i mungon kupa me veshë të mëdhenj që nga viti 2011, kur Barcelona e tij mundi Manchester United në finalen e Wembleyt.

Në të gjitha rastet kur drejtonte Bayern Munichun është eliminuar kur ishte vetëm një hap larg finales nga një ekip spanjoll (Real Madrid 2014, Barcelona 2015 dhe Atletico Madrid 2016).

Në tre vitet e fundit, Manchester City i Pep Guardiolës nuk ka shkuar në asnjë rast përtej çerekfinaleve, pavarësisht se në në krye të ‘Citizens’ ka shpenzuar në total më shumë se 600 milionë euro.

Në sezonin e parë të Guardiolës, “qytetarët” shpenzuan 213.5 milionë euro me ardhjen e Stones, Sanè, Gabriel Jesus dhe Gundogan.

Në sezonin e ardhshëm shifra u rrit në 317.5 milion me blerjet e Bernardo Silva, Ederson, Walker, Mendy, Laporte dhe Danilo. Në sezonin aktual, buxheti në merkato ka rënë në 77 milionë euro, pothuajse të gjitha të përdorura për transferimin e Mahrez.

Në dy sezonet e fundit ka mbetur jashtë në çerekfinale përballë skuadrave angleze, që presupozohet që i njeh mirë, Liverpool dhe Tottenham.

Mund të jetë e vërtetë, që siç është shprehur pak ditë më parë vetë Guardiola, City nuk e ka marrë për të fituar domosdoshmërisht Championsin, por edhe shpenzimet nuk kanë qenë të pakta.

Totali i shpenzimeve të Pep Guardiolas, bërë bashkë me shpenzimet që i ka bërë te Bayern Munichu, ku po ashtu ka dështuar ta fitojë Ligën e Kampionëve, kap shifrën e 812 milionë eurove.