9 ndeshjet më interesante në Premier League

Futboll 05 Shkurt 2018 17:09

Ka përfunduar gjysma e sezonit 2017/18 në një prej ligave më atraktive në Evropë, dhe qysh tani kemi pasur rastin të shikojmë disa prej ndeshjeve më të paharrueshme në Premier League.

Për ata që ndoshta i kanë harruar, ju përkujtojmë nëntë prej këtyre takimeve mbresëlënëse të këtij sezoni.

1. Arsenal (4-3) Leicester, Gusht 2017
Ishte ndeshja e parë e sezonit, dhe paralajmëroi një edicion shumë interesant. Vetëm në 5 minutat e parë të takimit, u shënuan 2 gola, me francezin Lacazette i cili shënoi në debutimin e tij pas vetëm 2 minutash. Një duel me shumë ndryshime në rezultat, ku “Topçinjtë” e siguruan fitoren në minutat e fundit.

2. Chelsea (2-3) Burnley, Gusht 2017
Gjithashtu përballje nga java hapëse e kampionatit, që solli një prej rezultateve më shokuese deri më tani në Premiership. Kampionët e Chelsea, u befasuan me humbje në shtëpi nga skuadra modeste e Burnley. Takim i cili pa Burnley ta përmbyllte pjesën e parë me epërsi 3-0, derisa “Blutë” nga Londra u këndellen pak në pjesën e dytë me dy golat e shënuar, por du largimet me të kuq tek ekipi i Conte-s, bënë që skuadra e tij ta fillonte kampanjën e re me humbje.

3. Huddersfield Town (2-1) Manchester United, Tetor 2017
Skuadra e promovuar në Premier League, shkaktoi dëlir në “Kirklees Stadium”, duke e mposhtur Manchester United me dy golat e pjesës së parë, të shënuar nga Aaron Mooy dhe Laurent Depoitre. Megjithëse “Djajtë e Kuq” në pjesën e dytë shënuan përmes Marcus Rashford, nuk ishte e mjaftueshme dhe pësuan me rezultat 2-1.

4. Tottenham Hotspur (4-1) Liverpool, Tetor 2017
Tottenham e “rrahën” skuadrën e Jurgen Klopp në stadiumin e ri në “Wembley”, duke e shfrytëzuar mbrojtjen e dobët të Liverpool, dhe vetëm në pjesën e parë kishim rezultatin 3-1. Në të dytën “Spurs” e përmbyllën debaklin e “The Reds” edhe me një gol të Harry Kane për shifrat finale 4-1.

5. Arsenal (1-3) Manchester United, Dhjetor 2017
Nga shumë e cilësuar si ndeshja e sezonit deri më tani, ku Manchester United doli nga “Emirates” me një fitore 3-1, pas një ndeshje shumë interesante që ka mundur të përfundojë me fitoren e secilës skuadër. Dy golat e United brenda 11 minutave të parë nga Valencia e Lingard, shkaktuan qetësi në Londër, mirëpo Lacazette ngushtoi shifrat me të filluar pjesa e dytë. Megjithatë ishte përsëri Jesse Lingard ai i cili përfundoi dilemën e fituesit me golin e tij të dyte edhe të tretin për “Djajtë e Kuq”, për rezultatin 3-1.

6. Manchester United 1-2 Manchester City, Dhjetor 2017
Dy klubet nga quteti i Manchester, u takuan në “Old Trafford” në fillim të dhjetorit dhe ishin “fqinjët e zhurmshëm” ata të cilët dolën nga kjo përballje me kokën lartë.
Pjesa e parë u karakterizua me dy gola në fundit e asaj pjesë loje, ku David Silva shënoi për epërsinë e skuadrës udhëtuese, epërsi kjo që zgjati vetëm 3 minuta, pasi Rashford barazoi shifrat pak sekonda para se skuadrat t’i drejtoheshin zhveshtoreve. Në fund me golin e Otamendit, City doli fitues, në një ndeshje me mjaft polemika ku u apelua për disa penallti dhe madje pati përballje të palëve edhe ne tunelin pas ndeshjes.

7. Arsenal 3-3 Liverpool, Dhjetor 2017
Barazimet ndërmjet këtyre dy skuadrave, shpeshherë ofrojnë spektakël për shikuesit ku edhe kjo përballje nuk dalloi nga kjo gjë. Liverpool arriti e para të shënonte, madje dy herë me golat e Coutinho dhe Salah, mirëpo pastaj në skenë për “Topçinjtë” dolën treshja Sanchez, Xhaka dhe Ozil për ta kthyer epërsinë në “Emirates. por, “Të Kuqtë” nuk u dorëzuan, dhe përmes golit të Roberto Firmino arritën të siguronin një barazim në Londër.

8. Arsenal 2-2 Chelsea, Janar 2018
Ishte përsëri Londra dhe stadiumi i “Emirates” që solli edhe një përballje të paharruar, kur u takuan skuadrat nga i njëjti qytet. U duk sikur djelmoshat e Antonio Conte-s do ta siguronin një tjetër fitore, pasi kishin epërsinë 2-1. Por, goli i minutës së fundit nga Hector Bellerin, i ngazëlleu vendasit që arritën të dalin së paku me një pikë nga ky takim.

9. Liverpool 4-3 Manchester City, Janar 2018
Ndeshja e cila i ndali ecurinë e Manchester City-t pa humbje, ishte ajo në “Anfield” dhe ishte një përballje me një fjalë, e jashtëzakonshme. Ishte një ndeshje që solli plotë 7 gola, ku Liverpool u gjend në epërsi prej 4-1, deri në momentet e fundit të ndeshjes. Por, në 5 minutat e fundit lojtarët e Guardiola-s, shkaktuan presion tek nikoqirët të cilët edhe pse në fund fituan, patën frikën e lëshimit të asaj fitoreje në çastet e fundit.
Për Liverpool, golat ishin shënuar nga: Alex Oxlade-Chamberlain, Roberto Firmino, Sadio Mane dhe Mohamed Salah, kurse realizatorët e “Qytetarëve” ishin: Leroy Sane, Bernardo Silva dhe Ilkay Gundogan.

-->