A do ta ketë Ballkani fatin e njëjtë si Prishtina në Gjilan?

Futboll 21 Korrik 2020 10:47

Edhe dy xhiro kanë mbetur për t’u mbyllur një sezon i stërzgjatur dhe tejet interesant. Superliga e Kosovës në mesjavë vazhdon me xhiron e 32-të dhe të dielën në fund javë do të zhvillohet edhe xhiroja e fundit (33). Gara për titull ende nuk ka përfunduar, duke qenë e luftuar mjaftë shumë nga Drita, Gjilani dhe Ballkani, shkruan Insporti.com.

Në garë për titull të kampionit ishte edhe klubi më i madh në Kosovë, Prishtina por fati i saj u vendos në xhiron e 29-të, duke u mposhtur nga Gjilani me rezultat 2:1.

Derbi ndërmjet Gjilanit dhe Prishtinës përfundoi me incident të madh, kur pas ndeshjes Policia e Kosovës spërkati me sprej trajnerin e kryeqytetasve, Armend Dallku dhe disa futbollistë.

E gjithë rrëmuja ishte krijuar nga pa kënaqësia për ndarjen e drejtësisë nga gjyqtarët. Prishtina hodhi dyshime të forta se gjyqtari kryesor i ndeshjes, Kreshnik Vula, ka dëmtuar me qëllim dhe se ka pranuar edhe para për të ndalur rrugëtimin e tyre drejt titullit.

Gjyqtari Vula ndëshkoi me karton të kuq portierin e Prishtinës, Visar Bekaj pas një dueli me futbollistin e Gjilanit, Gerhard Progni. Ky ishte momenti delikat që bëri situatën të tensionohej pas ndeshjes.

Madje zyrtari i Prishtinës, Avni Durmishi pas ndeshjes deklaroi se gjyqtari anësor, Fatmir Sekiraqa, është paguar nga Drita, ashtu siç ishte paguar edhe para dy vjetëve. “Fatmir Sekiraqa është gjyqtar i njohur për ne që nga ndeshja me Dritën në Pejë para dy vitesh. Edhe atëherë ka marrë para, edhe sot ka marrë para. Ndoshta Gjilani është i pafajshëm, por Drita është e përfshirë 100%”.

Për ta ndarë drejtësinë në ndeshjen Gjilani – Prishtina ishin deleguar Kreshnik Vula (gjyqtar kryesor), Fatmir Sekiraqa (anësor), Edmond Zeqiri (anësor) dhe gjyqtar i katërt Tefik Maloku.

Pas ndeshjes me komunikatë zyrtare doli edhe Trepça ’89 duke mbështetur Prishtinën. Në komunikatën e publikuar në faqen zyrtare të klubit thuhet se Trepça’89 mbështet Prishtinën dhe se të deleguarit e ndeshjes është e ditur se kush po i mbështet.

Vlen të theksojmë së në xhiron e 29-të ishin tre derbi, ndërsa gjyqtarët me stemë të FIFA-s, Genc Nuza dhe Besfort Kasumi nuk ishin deleguar.

Të hënën (dje) Federata e Futbollit të Kosovës njoftoi për delegimin e gjyqtarëve për xhiron e 32-të. Në derbin e kësaj xhiro gjyqtar kryesor është deleguar Tefik Maloku.

Klubet e Superligës në xhirot e fundit të Superligës kanë shprehur dyshimet e tyre rreth ndarjes së drejtësisë, duke lëshuar komunikata se disa nga gjyqtarët po delegohen me qëllime të caktuara.

Klubi më i zëshëm deri më tani ka qenë Trepça ’89, në veçanti pas ndeshjes së xhiros së 26-të, në ndeshjen kundër Flamurtarit e zhvilluar në “Riza Lushta”.

Ndeshja kishte përfunduar me rezultat baras 1:1, përkundër se “minatorët” kishin disa raste të cilat dyshojnë se janë anuluar pa drejtësisht.

Reagimit të Misionit të përmbushur nga ana e Referëve ja edhe video inqizimet nga ndeshja e sotshmeKF TREPÇA'89 : Referët 1:1https://korneri.net/a-eshte-demtuar-trepca89-nga-gjyqtaret-video/

Gepostet von KF Trepça '89 FC am Mittwoch, 24. Juni 2020

Gjyqtarë në këtë ndeshjen ishin: Tefik Maloku, Edmond Zeqiri, Fatmir Sekiraqa, Shpëtim Murtezi.

Pas ndeshjes klubi nga Mitrovica reagoi ashpër duke publikuar pamje nga aksionet të cilat sipas tyre janë të rregullta dhe kanë hedhur dyshime se treshja e gjyqtarëve ishin me mision në “Riza Lushta”.

Madje, në reagimin  e publikuar me pamje kanë shkruar rezultatin Trepça ’89 1:1 Referët.

Në xhiron e 32-të që zhvillohet sot dhe nesër mund të përcaktojë kampionin e ri të Superligës. Drita zhvillon ndeshjen me Drenicën, ndërsa të mërkurën Gjilani pret Ballkanin.

Gjilani në ndeshjen e parë si vendës e ka mposhtur skuadrën e Ballkanit me rezultat 1:0, ndërsa në Therandë djelmoshat e Ismet Munishit fituan me rezultat 2:1.

Derbi ndërmjet Gjilanit dhe Ballkanit do të zhvillohet të mërkurën (nesër) me fillim të orës 17:00.

Drita është lidere e Superligës me 65 pikë, Gjilani renditet në pozitën e dytë me 64 pikë, ndërsa Ballkani në pozitën e tretë me 63 pikë. /Insporti.com/

-->