A do të luajë Sterlingu kundër Kosovës në “Fadil Vokrri”?

Kombëtarja 12 Nëntor 2019 10:17

Raheem Sterlingu është lënë jashtë kombëtares për ndeshjen e Anglisë këtë të enjte kundër Malit të Zi.

Sulmuesi i Manchester Cityt nuk do të jetë pjesë e ekipit për ndeshjen me Malin e Zi, shkaku i përplasjes që pati në stërvitjen e “Tre Luanëve” me futbollistin e Liverpoolit, Joe Gomez.

Por, ende nuk ka asnjë konfirmim dhe nuk dihet nëse ai do të luajë kundër Kosovës, transmeton Insporti

Sterlingu raportohet se i ka kërkuar falje bashkëlojtarit të tij te kombëtarja derisa doli edhe me një reagim në rrjetet sociale.

Ndërkaq, trajneri Gareth Southgate e konfirmoi se vendimin e kishte marrë “në pajtim me të gjithë ekipin”.

Sipas mediave angleze, Sterlingu do të jetë me ekipin përkundër se nuk do të jetë pjesë e listës së lojtarëve të enjten kundër Malit të Zi.

Sidoqoftë, nuk ka ndonjë konfirmim nëse ai do të jetë në konsiderim për ndeshjen me Kosovën, që zhvillohet të dielën në Prishtinë, në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Mirror shkruan se Sterlingu mund të luajë kundër Kosovës, por trajneri Southgate ka dashur të përçojë një mesazh pas zënkës që ai e pati me Gomezin në kompleksin stërvitor, ‘St George’s Park’, duke e lënë atë jashtë për një ndeshje.

Sterlingu është një prej yjeve më të mëdha të kombëtares angleze dhe kishte shkëlqyer kundër Kosovës në takimin e parë në Southampton, ku kishte shënuar një gol dhe kishte asistuar në tri të tjerë. /Insporti.com/

-->