A do të luhet finalja e Kupës së Kosovës me tifozë?, përgjigjet Eroll Salihu

Futboll 19 Qershor 2020 16:55

Hungaria sot ka ardhur me një vendim të madh në futboll, duke njoftuar se nga kjo fundjavë nuk do të ketë kufizime dhe adhuruesit e futbollit do të mundë t’i ndjekin ndeshjet nga stadiumet, shkruan “Zeri.info”.

Një vendim të tillë më herët e ka bërë edhe Serbia, derisa Kroacia është duke e shqyrtuar mundësinë e hapjes së dyerve të tifozëve, ngjashëm si Shqipëria, ku sot presidenti i FSHF-së Armand Duka tha se po shpresojnë që disa ndeshje t’i zhvillojnë me tifozë.

Në Kosovë gjasat që tifozët t’i ndjekin ndeshjet kampionale janë minimale, por finalja e Digitalb Kupës së Kosovës, e cila luhet më 29 korrik, në stadiumin “Fadil Vokrri”, jep shpresa se mund të luhet me tifozë.

Image

Sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu, në një bisedë për “Zeri.info” ka thënë se do ta shqyrtojnë këtë mundësi, por situata në terren tash për tash duket shumë e keqe.

“Do të jetë shumë vështirë, pasi po e shohim që ditëve të fundit është përshkallëzuar situata me rritjen e numrit të të infektuarve.

Sigurisht që ne jemi duke e shqyrtuar atë mundësi, qoftë edhe me numër të kufizuar të tifozëve në stadium, por gjithmonë në konsultim të plotë me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës”, ka thënë Salihu për “Zeri.info”, duke lënë të kuptohet se nëse gjërat në javët e ardhshme përmirësohen, atëherë ka gjasa që finalja e madhe në mes të Prishtinës dhe Ballkanit të luhet me tifozë.

-->