A duhen ndryshime të Statutit apo udhëheqësisë ne FFK?

Futboll 14 Janar 2020 21:54

Në pasditen e sotme është publikuar një listë me 22 nënshkrime nga disa medie vendore, për thirrjen e Kuvendit Zgjedhor për anëtarët e Komitetit Ekzekutiv të FFK-së, shkruan Insporti.com.

Insporti ka kontaktuar me disa nga personat që emrat dhe nënshkrimet janë në atë listë.

Sipas listës që është publikuar në disa medie, opozita e FFK-së ka arritur të siguroj vetëm 22 nënshkrime, e jo 41 siç kishte pretenduar Arianit Ahmeti.

Në këtë listë prej 22 nënshkrimeve figuron edhe nënshkrimi i presidentit i KF KEK-ut, Besnik Mjeku. Po ashtu edhe të Vehbi Ademit dhe Armend Ademit, të cilët nuk e përfaqësojnë klubin kryeqytetas.

Image

 

 

Besnik Mjeku mohon se ka nënshkruar për rrëzimin e Agim Ademit

Insporti ka kontaktuar me presidentin e KEK-ut, i cili e ka mohuar se ka nënshkruar. I pyetur se a ka nënshkruar, ai është përgjigjur “çfarë nënshkrimi” dhe se nuk ka të drejtë vote. “Çfarë nënshkrimi, unë nuk kam drejtë vote. Unë personalisht kam nënshkruar për krejt diçka tjetër.  Unë nuk kam nënshkruar për thirrjen e kuvendit, ne si FK KEK akoma nuk kemi të drejtë vote pasi atë ende e ka Arben Shahini. Ne jemi në mbështetje të Agim Ademit dhe besojmë në punën e tij”.

Agim Hasani: Legjitim jemi vetëm unë dhe Imer Ademi

Në këtë listë figurojnë edhe nënshkrimet e Vehbi Ademit dhe Armend Ademi në emër të Flamurtarit.

Por, këta nuk janë përfaqësues të klubit “kuqezi”. Delegat legjitim të klubit kuqezi janë kryetari Imer Ademi dhe drejtori Agim Hasani.

Këtë e ka konfirmuar edhe drejtori i klubit Agim Hasani për Insportin.“Legjitim jemi vetëm unë dhe Imer Ademi. Nënshkrimet e Vehbi Ademit dhe Armend Ademi nuk vlejnë. Për këtë jemi vetëm ne të dy legjitim, madje kemi marrë edhe ftesë nga Federata e Futbollit të Kosovës”, ka deklaruar Agim Hasani, shkruan Insporti.com.

Batatina jep versionin e tij, tregon çfarë liste ka nënshkruar

Tahir Batatina ka deklaruar se lista e nënshkrimeve e publikuar në medie është për ndryshimin e statutit të FFK-së dhe jo për rrëzimin e kryetarit të FFK-së, Agim Ademi, shkruan Insporti.com.

Në pasditën e sotme është publikuar një listë prej 22 nënshkrimeve, listë në të cilën figuron edhe emri i trajnerit të Llapit, Tahir Batatina.

Insporti ka kontaktuar me trajnerin llapjan për të sqaruar situatën e krijuar. Sipas Batatinës, lista është për ndryshimin e statutit, që e kanë nënshkruar para disa ditësh pas një takimi me krerët e klubeve. “Kjo është listë për ndryshimin e statutit të FFK-së dhe nuk ka të bëjë për rrëzimin e Agim Ademit. Janë 33 nënshkrime dhe jo 22 ashtu siç është publikuar. Listë për ndryshimi e statutit, ku shumë mirë ceket se Komitetin Ekzekutiv duhet ta përbëjnë klubet e Superligës dhe Ligës së Parë, është qëllimi që njerëzit që dhurojnë mjetet financiare t’i mbrojnë të drejtat e tyre dhe jo dikush të tjetër që nuk jep mjete financiare dhe duhet të shkojë të shëtitet në shtetet evropiane, siç ka ndodhur deri më tani”.

Batatina, tutje ka deklaruar se kur do të bëhen nënshkrimet për rrëzimin e Ademit, do të bëhen publike.

Mbledhjen e nënshkrimeve e ka nisur ish zëvendës sekretari i FFK-së, Arianit Ahemti, i cili muaj më parë shpalli kandidaturën e tij për Kryetar të Federatës së Futbollit.

Në këtë listë figurojnë edhe emrat e presidentëve të Superligës, Arsim Kabashi e Abedin Zeka që me deklaratat e tyre kanë shkaktuar shumë reagime në ditët e fundit.

Në listë ndodhen nënshkrimet e delegatëve të Llapit (2), Trepçës ’89 (2), Ballkanit (2), Drenicës (2), Flamurtarit (2) si dhe disa klubeve të Ligës së Parë.

Për ta thirrur Kuvendin, duhen 33 nënshkrime të delegatë nga 56 sa janë në total. /Insporti.com/

 

 

 

-->