A i quajti Nadal tifozët serbë “pijanecë”, apo diçka tjetër?

Tenis 13 Janar 2020 16:03

Serbia dje e fitoi garën ATP Cup pasi në finale mundi Spanjën dhe fitorja e Novak Djokovicit ndaj Rafael Nadalit ishte një nga momentet vendimtare të finales.

Përderisa në mediat e Kosovës dhe të rajonit, temë shumë e përfolur ishte mënyra se si tenistët serbë e festuan fitoren me këngë nacionaliste për Kosovën, opinioni në Serbi është tronditur nga një deklaratë e Rafael Nadalit.

Sipas këtyre mediave Nadal i ka quajtur ata “pijanecë e narkomanë”, edhe pse këto fjalë nuk përmenden në deklaratën që Nadal e ka dhënë për mediat spanjolle, shkruan Insporti.

Nadal ka deklaruar se “ Kah fundi kemi parë edhe skena të ndryshme me tifozë, që janë fanatik. E vërteta është që ata shkojnë në terrene sportive dhe kanë në trup sasi më të madhe të disa substancave sesa që duhet. Mirëpo, ata nuk marrin shumë vesh nga sporti. Sidoqoftë, mua më pëlqen kur dikush e do vendin e tij dhe e do sportistin e vet. Mirëpo, duhet pasur edhe momente kur duhet respektuar lojtari kundërshtar”, shkruan Insporti.

Tifozët serbë në Australi, kryesisht pjesëtarë të diasporës serbe atje,  janë posaçërisht të zhurmshëm në meçet e tenisit.

-->