A ka shkëputur kontratën me Prishtinën? Kjo është përgjigja e Sokolit

Futboll 21 Shtator 2019 11:37

Bylbyl Sokoli është larguar nga pankina e Prishtinës pas vetëm dy xhiro si kryetrajner i klubit, raporton Insporti.com.

Largimi i Sokolit ka ardhur pas një dëmtimi në gjurin e tij të djathtë dhe këtë e ka bërë të ditur në konferencën e jashtëzakonshme që u zhvillua në zyret e klubit para pak qastesh.

Insporti ishte në konferencë dhe u interesua rreth kontratës së “Billit” me klubin bardhekaltër.

Sipas tij, rreth çështjes së kontratës do të bisedojnë në një takim së bashku me kryesinë pas konferencës.

“Jo, klub tjetër nuk mund të marrë, së paku deri të rehabilitimi. Rreth shkëputjes së kontratës, pas konferencës do të mblidhemi me klubin për të biseduar së çka është në interes të klubit, do të thotë kjo mbetet te Prishtina dhe unë jam i gatshëm për të gjitha opsionet. Për mua nuk paraqet problem as shkëputja e kontratës, as ndërprerja e përkohshme, por do të bisedohet pas këtij takimi”, u deklarua Sokoli.

Sokoli ishte zëvendësuesi i Mirel Josës, duke ardhur në krye të bankinës së Prishtinës për herë të dytë. Sokoli në ndeshjen e parë pësoi humbje me Llapin, ndërsa në ndeshjen e dytë ndaj Trepçës 89′ arriti të kthehej në kryeqytet me pikët e plota.

Bankinën e Prishtinës do ta drejtojë Armend Dallku së bashku me shtabin teknik aktual.

“Bardhekaltërtit” të nesërmen zhvillojnë derbin e javës së pestë të IPKO Superligës së Kosovës ndaj Gjilanit, në stadiumin “Fadil Vokrri” me fillim të orës 20:00.

Prishtina aktualisht renditen në pozitën e 11-t me vetëm katër pikë të grumbulluara me një ndeshje më pak të zhvilluar. / Insporti.com/

-->