A po kthehet telenovela me Neymar ?

Futboll 20 Prill 2018 13:43

Viti i kaluar u dominua me vendimin e Neymar për t’u larguar nga Barcelona dhe pastaj transferimi i tij tek Paris Saint-Germain, për shumën rekord prej 222 milionë eurosh.

E filloi një sezon të mirë me Parisin në Ligue 1 të Francës, kurse priteshin me padurim edhe përballjet e klubit francez në Champions League, pasi kishte fond goxha të mirë lojtarësh, ku sulmi llogaritej si ndër më të frikshmit në Evropë.

Megjithatë, ndeshja me Real Madrid në 1/8 e finales, vërtetoi se nevojitet diçka më shumë se para dhe lojtarë të shtrenjtë për të triumfuar në garën më prestigjioze për klube në Evropë.

Për më shumë, Neymar, u lëndua në fund të shkurtit dhe nuk arriti të paraqitej në ndeshjen e dytë kundër skuadrës madrilene dhe përveç se PSG u eliminua duke marrë edhe shumë kritika, nga ky moment filluan edhe spekulimet për pakënaqësitë e sulmuesit brazilian.

Neymar që nga koha e lëndimit, gjithë kohën ka qëndruar në vendlindje në Brazil duke u rikuperuar, në mënyrë që të ishte i gatshëm për kampionatin botëror në futboll që mbahet këtë verë në Rusi, por kohë pas kohe dilnin raportime të shtypit se braziliani nuk është i kënaqur në kryeqytetin francez dhe po e dëshiron largimin.

Në sulm u hodhën disa prej skuadrave gjigante evropiane, ku më të zëshmet ishin Real Madrid dhe Manchester United, përkundër se kishte zëra se Neymar mund të kthehej përsëri edhe tek Barcelona, por këto spekulime u hodhën poshtë nga ekipi katallan.

Me gjithë premtimin e babait të Neymar, që është edhe agjenti i tij, se djali i tij do të qëndroj në “Parc des Princes”, presidenti i PSG-së, Nasser Al-Khelaifi, ka filluar të brengoset përsëri, sepse e di që “prapa derës”, qëndron Real Madrid me ofertën e saj, që do të mundohet ta shfrytëzojë këtë momentum, e hiq më larg nuk janë as ata të Manchester United.

Klauzola e Neymar, e që është e njëjta me atë sa u ble ai – prej 222 milionë eurove, mund të aktivizohet vetëm verën e ardhshme dhe skuadra si Real Madrid edhe mund të presin deri atëherë që përmes klauzolës t’i sigurojnë shërbimet e tij, por nëse shfaqet mundësia më herët për transferimin e tij, madrilenët nuk do ta lënë pa e shfrytëzuar, pasi mund ta shfrytëzojë dikush tjetër, e që mund të jetë ekipi anglez i Manchester United. /Insporti.com

-->