Abidal akuzohet se siguroi ilegalisht mëlçinë e transplantuar – paraqitet në gjykatë

Futboll 24 Nëntor 2019 10:15

Ish lojtari i Barcelonës, Eric Abidal, po përballet me disa akuza të rënda, pasi kaloi një sëmundje mjaft të rëndë.

Francezi i cili tashmë është në bordin drejtues të skuadrës së Barcelonës, po akuzohet se ka siguruar ilegalisht mëlçinë që tani e mban në jetë.

Abidal ishte diagnostikuar me kancer në mëlçi, gjatë kohës sa ishte lojtar aktiv tek Barcelona (2011). Lojtari e kalonte këtë sfidë, por tashmë janë hapur probleme të reja për të.

Gjykata spanjolle ka hapur një çështje për të parë se si është siguruar mëlçia për Abidal, dhe tashmë insistohet se ajo është siguruar në formë ilegale.

Abidal, 40 vjeç, dhe ish presidenti i Barcës, Sandro Rosell, kanë dëshmuar dje para gjykatës, si pjesë e investigimeve, transmeton lajmi.net.

Por, asokohe, thuhej se mëlçinë për Abidal e ka siguruar kushëriri i tij, Gerard Armand, i cili më 8 nëntor dëshmonte se mëlçia ishte e tija, dhe nuk kishte asgjë ilegale.

“Isha i shokuar. Unë jam njeriu që i dha atij mëlçinë. Nuk kuptoj asgjë. Njerëzit nga familja ime erdhën dhe më vizituan. Isha një muaj e gjysmë në spital. Dhe, kur lexova se mëlçia e Eric mund të mos jetë e imja, isha i shokuar” ka thënë Armand.

“Kjo është arsyeja pse u paraqita në gjykatë, sepse dua të di nëse dikush përfitoi nga donacioni im” shtoi tutje ai.

Kurse, disa fjalë ka thënë edhe Abidal i cili ka insistuar se mëlçinë e mori nga kushëriri i tij.

“Kushëriri im Gerard dha mëlçinë e tij si donacion për të shpëtuar jetën time, dhe për këtë i jam gjithmonë mirënjohës” ka thënë francezi.

Kjo çështje nuk është e re. Barcelona ishte obliguar që të lëshonte një deklaratë zyrtare edhe vitin e kaluar, për të mohuar zërat që insistojnë se mëlçia u morr ilegalisht.

Mbetet të shihet se cili do të jetë verdikti final i gjykatës spanjolle, mbi këtë çështje të ndjeshme.

-->