Ademi: Ja si do të veproj në të ardhmen

Futboll 05 Korrik 2019 23:43

Agim Ademi, kryetar i Federatës së Futbollit të Kosovës, ka thënë se ndihet plotësisht i pafajshëm dhe nuk ka asnjë provë për dënimin e tij.

Në aktgjykimin e shpallur të premten, Ademi është dënuar me nëntë muaj burgim efektiv, për veprën penale të detyrimit në tentativë, ndërsa është shpallur aktgjykim refuzues për ushtrim të ndikimit.

“Nëse kushdo dhe kurdo e gjen një sms, një telefonatë, një dëshmi që unë jam i përfshirë në këtë situatë, sigurisht që do të jap çdo lloj përgjegjësie, por jam plotësisht i pastër dhe askush nuk mund të njollos as personalitetin tim dhe as të familjes”, ka thënë Ademi i ftuar në Interaktiv të KTV-së.

I pyetur nëse do të qëndrojë edhe më tej në krye të FFK-së, ai është i shprehur: “Sigurisht do të vazhdoj punën time, sepse e kam mbështetjen e plotë të Komitetit Ekzekutiv, të delegatëve dhe bashkëpunëtorëve. Unë deri në fund do ta ndjek rrugën ligjore”.

Numri një i FFK-së ka thënë se për këtë rast mund të interesohen edhe UEFA e FIFA, por përderisa ai është i bindur se nuk ka bërë asnjë shkelje, nuk pret të ketë asgjë nga këto institucione.

-->