Afrim Muçiqi: Shpend Ahmeti ka qenë kryetari më i dobët në historinë e kryeqytetit, nuk ka qenë në gjendje që asnjë tualet ta bëjë për FC Prishtinën

Futboll 09 Mars 2022 21:28

Këngëtari i mirënjohur kosovar, Afrim Muçiqi, i cili për afro 20 vite ka dhënë kontribut në klubin më të madh në Kosovë, FC Prishtina duke qenë aksionar, nënkryetar dhe drejtor i klubit, duke folur për gjendjen nëpër të cilën po kalon klubi, është ndalur te infrastruktura.

Muçiqi ka thënë se Komuna e Prishtinës në kohën e ish-kryetarit Shpend Ahmeti, i cili për dy mandate (tetë vite) e ka menaxhuar Komunën, nuk ka bërë asgjë për FC Prishtinën.

“18 vite kemi përjetuar katrahurë. Kemi stërvitur në Obiliq, kemi luajtur në Drenas, në Pejë, Mitrovicë, Prizren e Gjakovë. Kemi qenë pa shtëpi. Në momentin që është riparuar stadiumi “Fadil Vokrri”, kushtet kanë qenë pak më të mirë. Unë personalisht për vete dhe të gjithëve që kemi qenë në klub kemi arritur që FC Prishtinës t’ia sjellim një aset, një tokë prej 10 hektarësh të ndarë nga ish-kryeministri Ramush Haradinaj. Është punuar diçka, por unë gjithmonë kam qenë kritik sepse Komuna e Prishtinës, përkatësish ish-kryetari Shpend Ahmeti ka qenë kryetari më i dobët në historinë e kryeqytetit. Ai nuk ka qenë në gjendje që asnjë tualet ta bëj për Shkollën e Futbollit. Është një bunar që unë e kam ndërtuar vet me mjetet e familjes sime në stadium ku tetë vite kanë pirë ujë fëmijët nga ai bunar dhe Shpend Ahmeti nuk ka qenë në gjendje që as edhe një çeshme ta bëjë”, ka thënë Afrim Muçiqi për Radio Kosovën, përcjell Zeri.info.

FC Prishtina në edicionin e fundit arriti që të shpallet kampione e Kosovës.

Në këtë edicion skuadra kryeqytetase e feston 100-vjetorin e themelimit. /Zeri.info

-->