Agim Ademi demantohet nga Avdi Zeqiri – i biri tij e do Zvicrën

Futboll 03 Tetor 2020 12:13

Duket se është krijuar “Januzaj II” me sagën e Andi Zeqirit se cilin komb do ta përfaqësojë. Kryetari i FFK-së, Agim Ademi në disa deklarata për medie të ndryshme, madje edhe në sajtin zyrtar të Federatës kishe deklaruar se Zeqiri ka pranuar ftesën e Kosovës dhe është çështje e kryer, shkruan Insporti.

Ademi është demantuar nga babai i Andit, Avdi Zeqiri. Numri një i FFK-së, Ademi ditë më parë për “Zëri.info” kishte deklaruar se Zeqiri ka nënshkruar kontratën me Kosovën dhe me vetë dëshira ka pranuar ftesën.

”Unë nuk di nga doli ky lajm. Andi e ka nënshkruar me dëshirë që të jetë pjesë e Kosovës dhe ne nuk besojmë se ai ka ndërruar mendje. Ai me vetë dëshirë është bërë pjesë e Kosovës. Ne e kemi dërguar letrën në FIFA si dhe tek Zvicra. Po presim vetëm konfirmimin që ai të bëhet pjesë e Kosovës”, ka thënë Ademi për “Zeri.info”.

Agim Ademi: Andi Zeqiri nuk ka ndërruar mendje, ne e kemi njoftuar edhe FIFA-n
Agim Ademi dhe Andi Zeqiri me fanellën e Përfaqësueses së Kosovës

Sipas të gjitha gjasave, Ademi është “dribuluar” nga Avdi Zeqiri, ashtu siç dribloi edhe “SuperSport Kosovën” me deklaratat e tij.

Avdi Zeqiri ditë më parë në transmetim direkt në emisionin “Koha Shtesë” të SuperSport Kosova deklaronte se është çështje kohe kur i biri i tij do të veshë fanellën e Kosovës, madje këtë e deklaronte duke buzëqeshur.

Por, nuk kaluan as 48 orë dhe AVDI ZEQIRI tregoi fytyrën e tij të dytë, kësaj radhe për mediet helvete.

Avdi Zeqiri (babai i Andi Zeqirit)

Avdi Zeqiri, fillimisht në një intervistë të dhënë për ‘Koha Shtesë” në Supersport, u deklarua se djali i tij kishte zgjedhur Përfaqësuesen e Kosovës dhe se problemi qëndronte tek dokumentacioni i dërguar në FIFA. “Kemi ende probleme me dokumentacionin dhe për momentin nuk di të them nëse do të rregullohet gjithçka për të qenë gati për muajin tetor. Gjithsesi me rëndësi është të theksojmë se Andi ka vendosur të përfaqësojë Kosovën dhe debutimi i tij vetëm sa mund të shtyhet” .

Këtë deklaratë e tha me plotë buzëqeshje dhe e dinte se është duke u shikuar nga tifozët shqiptarë, të cilët mezi po e presin ta shohin në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Avdi Zeqiri, ndoshta ka menduar se deklarata e tij e dhënë në Zvicër nuk do të zbulohej nga mediet shqiptare të Kosovës, por duket se nuk i ka bërë mirë llogaritjet.

Madje, ai akuzoi kolegët e “SuperSport Kosova” duke thënë se i kanë shtrembëruar fjalët e tij.

“Fjalët e mia për pretendimet që ai ka vendosur të mbrojë ngjyrat e Kosovës janë amplifikuar dhe paska janë shtrembëruar. Çfarë është e sigurt është se Andi ka qëllim të qartë të jetojë aventurën me moshat U21 deri në fund. Dhe vetëm atëherë do ta shohim se çfarë vendimi do të marrë z. Petkovic. Më besoni, në qoftë se ai ftohet nga ekipi i Zvicrës, ai do të pranojë këtë seleksionim me lumturi dhe entuziazëm” – ka deklaruar ai për gazetën zvicerane “24 heures”, transmeton Insporti.

Zeqiri u ftua të premtën (dje) nga Zvicra U-21 për ndeshjet kualifikuese të Evropianit 2021, por futbollistin shqiptar po e ndjek me kujdes edhe Kombëtarja A.

Derisa Kosova llogarit në të për të ardhmen, të njëjtën gjë po e bëjnë edhe zviceranët.

“Ne jemi gjithmonë të sinqertë. Do ta marr atë në ekipin kombëtar kur të jem i sigurt se ai mund të na ndihmojë ne. Unë nuk do ta bllokoj kurrë atë. I kam folur qartë për këtë. Ai tashmë ishte në listën B. Ai është në radarin tim”, ka deklaruar përzgjedhësi i Zvicrës, Vladimir Petkovic.

Sulmuesi, 21 vjeçar, ka shkëlqyer në futbollin zviceran me ekipin Lausanne-Sport, ndërsa së fundmi u transferua në klubin nga Premierliga, Brighton Hove & Albion.

New striker Andi Zeqiri pinpoints why he chose Brighton ahead of Parma and  Wolfsburg | Brighton & Hove Independent
Andi Zeqiri me fanellën e Brighton Hove & Albion

E gjithë historia duket se do të këtë një përfundim të hidhur për “Dardanët”, me një Déjà vu nga rasti i Adnan Januzajt dhe babit të tij, Abedin Januzajt, i cili pas një flirti të gjatë me Kosovën në fund vendosen për Kombëtaren belge. /Insporti.com/

-->