Agim Ademi e uron Dritën për barazimin kundër Feyenoordit, por jo edhe Prishtinën për fitoren ndaj kampionëve të Uellsit

UEFA Conference League 23 Korrik 2021 20:26

Njeriu i parë i futbollit kosovar, Agim Ademi, e ka uruar skuadrën e Dritës për suksesin e arritur në ndeshjen e parë në Ligën e Konferencës ndaj Feyenoordit në turin e dytë të kësaj gare.

Drita të enjten barazoi pa gola (0:0) në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, derisa ndeshjen e kthimit do ta zhvillojë gjatë javës që vjen në Holandë.

“Sonte dua të uroj Dritën për lojën shumë të mirë dhe për angazhimin maksimal të shfaqur kundër gjigantit holandez, Feyenoord. Barazimi 0:0 kundër një klubi të tillë është një sukses për Dritën dhe për futbollin tonë, edhe pse realisht rezultati baras nuk sjell ndonjë siguri të madhe për ndeshjen e kthimit. Gjithsesi, të luash kaq mirë si teknikisht, ashtu edhe taktikisht ndaj skuadrave të tilla gjigante pa dyshim ka vend për urime, andaj me këtë rast përgëzoj trajnerin e po ashtu edhe futbollistët për lojën e sotme. Gjithashtu, falënderoj edhe tifozët për atmosferën e krijuar dhe të gjithë ata që ndihmuan në organizimin e kësaj ndeshjeje. Vazhdimësia e lojërave të tilla cilësore po tregon se liga e Kosovës po vjen në nivelin ku e ka vendin dhe po dëshmohet se kemi futboll cilësor.

Uroj tifozët e Dritës dhe të gjithë dashamirët e futbollit! Shpresoj se edhe në ndeshjen e kthimit në Roterdam do të na prezantoni denjësisht. Urime Drita!. Me respekt, A.A.”, ka shkruar Agim Ademi në faqen e tij në rrjetin social Facebook derisa lajmi është publikuar edhe në faqen zyrtare të Federatës së Futbollit të Kosovës.

Ndryshe, Prishtina të martën arriti sukses në garën e njëjtë (Liga e Konferencës), duke e mposhtur kampionin e Uellisit, CQ Nomads, duke fituar me rezultat 4:1 në takimin e parë. Njeriu i parë i FFK-së, Ademi, nuk është kujtuar që ta urojë klubin më të madh kosovar as në faqen zyrtare të FFK-së e as në faqen e tij zyrtare në “Facebook”, ani pse me këto fitore futbolli ynë po ngitet dita-ditës në arenën ndërkombëtare.

-->