Agim Ademi nuk e ndal terrenin – vazhdon takimet në kohë koronavirusi

Kombëtarja 22 Mars 2020 18:37

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka vazhduar me “punën në terren” dhe takimet e tij të ndryshme, përkundër pandemisë së koronavirusit.

Insporti gjatë ditës së djeshme ka raportuar se si Ademi nuk ka respektuar thirrjet për mos dalje nga shtëpitë në mënyrë që të mos përhapet virusi i njohur si COVID-19.

Fillimisht gjatë ditës së djeshme, Ademi e kishte vizituar Lidhjen Rajonale të Futbollit në Prishtinë, kurse më pas presidenti vizitoi KF Flamurtarin dhe KF KEK-un.

Por, numri një i FFK-së njëjtë ka vepruar edhe ditën e sotme, përkundër thirrjeve të vazhdueshme të qëndrimit në shtëpi. Madje, Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka propozuar edhe orë policore, në mënyrë që të pakësohet qarkullimi i qytetarëve dhe automjeteve.

Federata e Futbollit e Kosovës ka njoftuar se Ademi edhe sot, me drejtuesit e FFK-së “kanë qenë në aksion në terren”, sipas tyre për t’u interesuar për gjendjen e klubeve dhe futbollistëve si dhe punëtorëve sportivë, në kohë të koronavirusit.

Ademi sot gjatë ditës vizitoi dy klubet e kryeqytetit, FC Prishtinën e KF 2 Korrikun, derisa për të respektuar masat e ndërrmara nga institucionet, thuhet se “është vendosur që të gjithë anëtarët e KE të FFK-së të shkojnë për vizita në klubet e regjioneve të tyre dhe të interesohen për shëndetin e futbollistëve”. /Insporti.com/

-->