Akil Gjakova ngelet pa medalje në Evropianin e Xhudos

Sporte luftarake 27 Prill 2018 14:48

Xhudisti i vetëm nga Kosova në konkurrencën për meshkuj, Akil Gjakova, ngelet pa medalje në Kampionatin Evropian të Xhudos, i cili po mbahet në Tel Aviv të Izraelit.

Akili, i cili garon në kategorinë deri në 73 kg, gjatë ditës së sotme garoi dhe në dy luftërat e para arriti të dal fitues, mirëpo në çerekfinale u eliminua.

Përkundër këtij eliminimi, Gjakova kishte edhe më tutje mundësinë të stolisej me medaljen e bronztë, përmes dy dueleve në Ripasazh, por qysh në luftën e parë, Akili u mposht.

Akil Gjakova fillimisht sipas shortit nuk mori pjesë në rundin e parë, kurse në rundin e dytë, e që ishte lufta e tij e parë, me Ippon fitoi kundër xhudistit nga Monako, Cedric Bessi.

Në rundin e radhës, Akili përsëri triumfoi, duke e mposhtur me Waza-ari kundërshtarin e tij nga Rusia, Uali Kurzhev dhe kështu e siguroi plasmanin në çerekfinale.

Kur pritej që Akili të avanconte tutje, një gabim i tij i kushtoi rëndë dhe u mposht me Ippon nga xhudisti i Azerbajxhanit, Hidayet Heydarov, me ç’rast xhudisti kosovar humbi rastin që të luftonte për dy medaljet e para.

Megjithatë, shpresa për së paku medaljen e bronztë ekzistonte, ku përmes dy luftërave në Repasazh, Akili do të mund të kurorëzohej me të bronztën.

Duket se kjo nuk ishte dita e xhudistit kosovar, pasi qysh në luftën e parë të Repasazhit, Akili u mposht me Waza-ri nga armeni Arsen Ghazaryan dhe kështu ëndrra e tij për medalje në Evropianin e Xhudos në Tel Aviv, nuk u realizua. /Insporti.com

-->