Aksident tragjik, ndërron jetë piloti (VIDEO)

Motosport 31 Gusht 2019 19:33

Një aksident i frikshëm ka ndodhur në garën e Formula 2 që u zhvillua në Spa Francorchamps, ku ka humbur jetën një pilot 22-vjeçar. Bëhet fjalë për Antoine Hubert, i cili debutonte në këtë kategori.

Në xhiron e dytë të garës, pas daljes nga kthesa e famshme Eau Rouge, makinat e Marino Sato, Anthoine Hubert dhe Juan Manuel Correa u përplasën.

Nga kjo përplasje nuk mbijetoi dot francezi, makina e të cilit u nda përgjysmë.

“Si pasojë e aksidentit, FIA njofton me trishtim se drejtuesi i mjetit numër 19, Antoine Hubert, nuk i mbijetoi plagëve të marra dhe ndërroi jetë në orën 18:35, lexohet në njoftimin e Federatës Ndërkombëtare të Automobilizmit. Gara u ndërpre menjëherë pas aksidentit dhe nuk do të rinisë më.