Aktakuzë ndaj dy zyrtarëve se shitën KF “Dardana” me dokument të falsifikuar

Futboll 19 Dhjetor 2021 12:16

Më 19 nëntor të këtij viti, prokuroria Themelore në Gjilan ka ngritur aktakuzë ndaj ish-drejtorit të Klubit Futbollistik (KF) “Dardana”, Sevdai Kastrati dhe ish-drejtorit sportiv të këtij klubi, Habib Leci, duke i akuzuar ata se në dhjetor të vitit të kaluar me dokument të falsifikuar këtë klub ia shitën Klubit Futbollistik “Vushtrria”, raporton Betimi për Drejtësi, transmeton Insporti

Kjo aktakuzë është dorëzuar në Gjykatën Themelore në Gjilan, dega në Kamenicë dhe në punë i është ndarë gjykatësit të kësaj gjykate, Sadri Krasniqi.

Prokuroria Themelore në Gjilan ka ngritur aktakuzë ndaj Sevdai Kastratit dhe Habib Lecit, me arsyetimin më 20 dhjetor të vitit të kaluar në Kamenicë, kanë përpiluar dokument të falsifikuar duke e përdorë procesverbalin e 20 dhjetorit 2020, me ç’rast fillimisht e shndërrojnë Klubin Futbollistik “Dardana” nga Organizata Joqeveritare në Shoqëri me Përgjegjësi të Kufizuar, e me pas këtë klub ia shesin Klubit Futbollistik “Vushtrria”.

Sipas prokurorisë, edhe përkundër faktit se nga viti 2016 nuk është mbajtur asnjë kuvend i klubit, dy të akuzuarit përpilojnë dokument të falsifikuar dhe me dije e përdorin listën me nënshkrime

Kujtojmë se, Klubi Futbollistik “Vushtrria” me 2 gusht të vitit 2021 njoftoi se edhe zyrtarisht do të garojë nga sezoni i ardhshëm në Ligën e Parë të futbollit kosovar. Ata përfunduan në vendin e fundit në sezonin e kaluar, mirëpo arritën të garojnë në Ligën e Parë, pasi u fuzionuan me klubin KF Dardana.

Vendimi i këtij fuzionimi është bërë edhe me miratimin e Federatës të Futbollit të Kosovës.

Sipas rregullores të garave në futbollin kosovar, më saktësisht ‘Neni 61’ thotë se fuzionomi i klubeve bëhet në Kuvendin e përbashkët të klubeve të interesuara të cilat më parë në kuvendet e tyre veç e veç janë deklaruar për fuzionim.

/Insporti.com

-->