Akuza për shitjen e biletave, kjo është përgjigja e Eroll Salihut

“Lufta” për karrigen e të parit të Federatës së Futbollit të Kosovës, ka bërë që të dalin në shesh disa përplasje të mëdha në mes të Arianit Ahemtit dhe zyrtarëve të FFK-së, shkruan Insporti.com.
Ish zëvendës/sekretari i FFK-së Arianit Ahmeti me shpalljen e kandidaturës së tij për kryetar të FFK-së, ka zbuluar edhe disa fakte rreth shitjës së biletave për ndeshjet e Përfaqësueses së Kosovës.
Sipas Ahmetit, për ndeshjen Kosova – Anglia, janë shitur vetëm 15 përqind e biletave (2939) dhe jo 9 mijë siç kishte deklaruar kryetari Agim Ademi.
Ahmeti mbrëmë ishte i ftuar në emisionin “Dueli Sportiv” në Radio Televizionin Dukagjini, në të cilin bëri këto akuza duke shfaqur edhe një dokument që në të figuronin shifrat e biletave, shkruan Insporti.com
Sipas Ahmetit këtë dokument e ka dorëzuar edhe në prokurori. “Agim Ademi tërë kohën ka dezinformuar. Lënda për bileta ka shkuar edhe nw prokurori, kam pasur shumë presion. Online nuk shiten të gjitha biletat. Në lojën me Anglinë 2939 bileta janë shitur online apo 15 %, 7733 janë porositur nga FFK, kurse 19 bileta kanë qenë të pa shitura. Në ndeshjen me Malin e Zi, 4635 bileta janë shitur, 5046 nga FFK. Për ndeshjen me Malin e Zi, madje, pronari i tiks.app ka dashur të largohet nga marrëveshja”, përfundoi Ahmeti, i cili më poshtë e zbulon dokumentin e shitjes së biletave”.
Insporti ka kontaktuar ish shefin e Ahmetit, sekretarin e përgjithshëm të FFK-së, Eroll Salihu për të biseduar për çështjen e biletave.
Salihu në përgjigjen e tij për Insportin ka qenë shumë i shkurtër duke thënë se kjo temë për të është mbyllur. “Unë nuk dua të flasë më për këtë temë, për mua është e mbyllur kjo çështje”.
Ahmeti përveç akuzës për mënyrën e shitjes së biletave, ka deklaruar se UEFA i ka kërkuar ngrirjen e postit apo dorëheqjen kryetarit Agim Ademit pas shpalljes së aktgjykimit ndaj tij.
Agim Ademi: Për ndeshjen me Anglinë nëntë mijë bileta në shitje
Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi pak para ndeshjes Kosovë – Angli kishte deklaruar se nëntë mijë bileta do të shitën për ndeshjen me Anglinë.
Ademi këtë e kishte deklaruar në emisionin “Rubikon” të KTV-së. “Numri i saktë i biletave që dalin në shitje varion nga 9800-10100, që do të thotë se afro 3 mijë vende janë të rezervuara”.
Këto shifra nuk përputhen aspak me atë se çfarë prezantoi Ahmeti. Kompania e kontraktuar për shitjen e biletave “Tiks.app” ende nuk reaguar rreth deklaratës së këtij të fundit.
Ndërkohë një nga bashkëpronarët e kësaj frime, Ardian Kelmendi ka ndërruar jetë disa ditë pas ndeshjes së Kosovës me Anglinë.
“Sulmi nga hakerët” në drejtim të “Tiks.app”
“Tiks.app” paraprakisht kishte raportuar se sajti i tyre ishte sulmuar nga hakerët dhe se për atë arsye qasja për të siguruar një biletë ishte e pa mundur.
Qytetarët ishin në dijeni për interesimin e madh që do të ishte për ndeshjen me Anglinë, megjithatë kanë pasur edhe dyshimet e tyre për keqpërdorime.
Prodhuesit e produktit Tiks.APP janë arsyetuar me sulme kibernetike, çka e ka pamundësuar shitjen normale të biletave.
Megjithatë, ata nuk kanë lënë pa kritikuar edhe mediat e persona të ndryshëm që, sipas tyre, kanë publikuar materiale nxitëse që kanë ndikuar në tensionimin e situatës.
Në një njoftim për media, Prokuroria ka njoftuar të ketë autorizuar Policinë e Kosovës që të fillojë me mbledhjen e informatave, ngjashëm siç kishte bërë edhe gati një muaj më herët, për ndeshjen Kosovë – Mali i Zi. /Insporti.com/
Ahmeti : Ceferin e Infatino nuk i përcjellin ngjarjet e fundit në FFK