Akuza të rënda për pajisjet e stadiumit “Adem Jashari”, rasti paraqitet në Polici

Superliga e Kosovës 18 Dhjetor 2019 20:11

Një moment aspak i këndshëm ka ndodhur gjatë ditës së sotme në stadiumin ‘Adem Jashari’ në Mitrovicë i cili shfrytëzohet nga klubi mitrovicas Trepça për zhvillimin e ndeshjeve në Ligën e Parë të futbollit të Kosovës.

Gjatë ditës së sotme (e mërkurë), janë marrë të gjitha pajisjet në zhveshtoren e stadiumit ‘Adem Jashari’, pa informimin e zyrtarëve të klubit mitrovicas.

Urdhëresën për një veprim të tillë e ka dhënë Xhelal Broja, i cili është anëtar i Komitetit Ekzekutiv në Federatën e Futbollit të Kosovës, derisa një gjë e tillë e ka zënë në befasi koordinatorin e klubit futbollistik Trepça, Avni Haxhiun.

Zëri.info e ka kontaktuar në pasditen e sotme Haxhiun, i cili ka thënë se e gjithë kjo që ka ndodhur sot në stadiumin, ku dikur i zhvillonte ndeshjet Përfaqësuesja e Kosovës, është një keqpërdorim i pozitës zyrtare nga ana e Xhelal Brojës.

Madje, Haxhiu ka bërë të ditur se tashmë rastin e kanë raportuar në polici, derisa ai shton se e gjithë kjo është bërë pa dijeninë e kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi.

“Jam momentalisht te stadiumi, policinë e kemi thirrur për ta treguar rastin se çfarë ka ndodhur. Është një keqpërdorim pasi janë marrë të gjitha pajisjet e zhveshtoreve me vlera të mëdha pa njohurinë e kryetarit të klubit dhe pa njohurinë e zyrtarëve të Federatës”, ka thënë fillimisht Avni Haxhiu.

“Kjo është bërë me një urdhëresë nga Xhelal Broja, i cili është anëtar i Komitet Ekzekutiv në FFK, ndërsa me njohuritë tona, kryetari Agim Ademi, nuk është aspak i informuar. Ku i ka dërguar pajisjet, nuk kemi informata. Ata kanë marrë shtretër të mjekëve, të anti-dopingut dhe ku i kanë dërguar nuk e dimë. Kjo mendoj që ka të bëjë me keqpërdorimin e pozitës zyrtare nga Xhelal Broja, anëtar i KE-së së FFK-së”, tregon më tej Haxhiu, duke shtuar:

“Ne luajmë këtu dhe ai është dashur që ta na informojë. Kjo është arsyeja pse po i thërrasim policinë sonte”. Pas deklaratës së Haxhiut, Zëri.info ka kontaktuar edhe me protagonistin e gjithë kësaj situate, njëherit anëtar i Komitetit Ekzekutiv të FFK-së, Xhelal Broja.

Broja duke e sqaruar rastin, ka thënë se është i caktuar në pozitën e ushtruesit të detyrës për stadiumin ‘Adem Jashari’, derisa ka treguar edhe arsyet pse ka ndodhur një gjë e tillë sot në stadiumin në Mitrovicë.

“Unë jam caktuar atëherë kur janë bërë investimet në stadium për lojën me Haitin derisa nuk janë zgjidhur problemet pronësore. Prej atij momenti, Federata e ka marrë në menaxhim stadiumin dhe pasi jam nga regjioni i Mitrovicës dhe nga Komiteti Ekzekutiv i FFK-së, jam caktuar ushtrues detyre i drejtorit/menaxherit për stadiumin ‘Adem Jashari”, u shpreh fillimisht Xhelal Broja për Zëri.info.

“Pasi MKRS vendosi që prej muajit shkurt, ta bëjë këtë investimin 12 milionësh, unë kam kërkuar që të huazohen këto pajisje në mënyrë që të mos shkatërrohen. Kam menduar t’i huazojë, dhe në këtë rast i kam dërguar në ‘Riza Lushta’ (stadiumin e Trepçës ’89) për t’i ruajtur dhe të shfrytëzohen deri në kohën e kthimit, pra janë të huazuara dhe do të kthehen”, zbulon anëtari i Komitetit Ekzekutiv të FFK-së.

Për fund, Broja thotë se kudo që Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport i kërkon t’i dërgojë këto pajisje, ai do ta bëjë një gjë të tillë, derisa thotë se e gjithë kjo është ekzagjeruar nga drejtuesit e klubit të Trepçës.

“Kudo që më thotë MKRS-ja, unë do t’i dërgoj. Por, drejtuesit e Trepçës po duan që të marrin një përgjegjësi shtesë që nuk iu takon dhe nuk kanë kompetencë për këto gjëra. Ky është një moment shumë palidhje. Unë jam ushtrues detyre i menaxherit të stadiumit dhe për këtë kam edhe fakte”, përfundoi Broja.

-->