Al-Dali, kampioni palestinez që nuk u zmbraps as nga bombat

Atletikë 09 Qershor 2019 13:13

E vogël dhe mbipopulluar, Gaza është një nga vendet më pak të përshtatshme për çiklizëm të rrugës në botë.

Megjithatë, këtu Alaa al-Dali, top-çiklisti i Palestinës, jeton dhe stërvitet. Është e habitshme se si një sport i qëndrueshmërisë si çiklizmi ka gjetur një bazë pasionante te të përkushtuarit në rrugët e mbuluara “me bomba”.

Rripi i Gazës është vetëm 41 kilometra i gjatë dhe 12 kilometra në pjesën më të gjerë të saj, me mesatare prej gjashtë personash për metër katror.

“Jam mësuar të stërvitem katër deri në pesë orë, saktësisht t’i bëj 120 kilometra gjatë ditës. Kam vështirësi, pasi Gaza është qytet i vogël dhe rrugën më të gjatë e ka 35 kilometra. Kështu që të njëjtën rrugë e bëj katër herë për sesionin ditor. Ëndrra ime është të marr pjesë në garat ndërkombëtare”, thotë Al-Dali.

Çiklisti u ngjit në renditjen palestineze dhe doli në skenë kur vitin e shkuar fitoi medaljen e artë në kampionatin shtetëror. Edhe nëse sportistët nga Gaza kanë të drejtën formale për të marrë leje nga institucionet izraelite që të marrin pjesë në ngjarjet ndërkombëtare, Alaa kurrë nuk ka qenë në gjendje të largohet nga ky vend.

“Pata një ftesë për një garë ndërkombëtare, por nuk m’u lejua udhëtimi për shkak të marrëdhënieve ndërkombëtare të Gazës dhe vendeve të tjera. Kështu që unë po stërvitem dhe garoj këtu me shpresën që një ditë të dal edhe jashtë kufijve”, thotë ai.

“Egjipti e ka mbyllur kufirin për shkak të konfliktit mes Hamasit dhe presidentit egjiptian. Izraeli po refuzon të gjithë aplikuesit që të udhëtojnë jashtë Gazës. Kështu që nëse refuzoheni shumë herë, atëherë mund të ndalohet përgjithmonë hyrja në Izrael dhe ky është makthi për sportistët e Gazës. Ne po përpiqemi të merremi me sport, ata po na pengojnë me politikë”, shton Al-Dali.