Alexis Sanchez thumbon ish-skuadrën e tij Arsenal

Alexis Sanchez, gjatë afatit kalimtar të janarit, në një marrëveshje shkëmbimi, kaloi nga Arsenal tek Manchester United, kurse “Topçinjtë” morën armenin Henrikh Mkhitaryan.
Sanchez kishte refuzuar rinovimin e kontratës me Arsenal dhe kërkonte largimin, pasi kërkonte të fitonte tituj, të cilën gjë nuk po a arrinte në “Emirates”.
Mirëpo, kiliani së fundmi ka filluar ta thumboj ish-skuadrën e tij, mu para ndeshjes derbi në mes Man.United dhe Arsenal, që zhvillohet këtë të diel në “Old Trafford”.
29 vjeçari deklaroi se dallimi në mes United e Arsenal, është se “Djajtë e Kuq” janë skuadër e etur për trofe dhe këtë po e dëshmojnë duke kërkuar ta fitojnë FA Cup dhe të në raftin e tyre të shtojnë edhe një trofe tjetër, kurse tek Arsenal ai tha se nuk ishte kështu.
“Është shumë ndryshe këtu tek United. Unë mendoj se Manchester United është një klub me më shumë histori dhe kanë dëshirë dhe etje të madhe që gjithmonë të fitojnë tituj”, tha Sanchez.
“Përkundër se këtë sezon, trofeu i vetëm për ne mund të jetë vetëm ai i Fa Cup, jemi duke u përgatitur për edicionin e ardhshëm, duke u përmirësuar gjatë gjithë kohës. United është një klub i madh, tek i cili ende jam duke u adaptuar dhe mezi po pres që të jap gjithçka në fushë për këtë fanellë sezonin tjetër, pasi kemi synim që të fitojmë gjithçka”, deklaroi Alexis Sanchez.
Kiliani hasi në vështirësi për t’u adaptuar tek United në muajt e parë, por dalëngadalë po e gjen veten dhe arriti të shënonte kundër Tottenham në gjysmëfinale të FA Cup, me ç’rast “Djajtë e Kuq” avancuan në finale dhe do të ndeshen me Chelsean më 19 maj në stadiumin “Wembley”.
“E vërteta është se kam shënuar gjithmonë në ‘Wembley’, ku edhe kam fituar disa trofe atje qoftë me Arsenal apo edhe me përfaqësuesen e Kilit. Mendoj se takimi kundër Tottenham në gjysmëfinale të FA Cup, ishte ndeshja ime më e mirë deri më tani prej se kam kaluar te United dhe kjo më bënë shumë të lumtur, për atë se çfarë më pret në të ardhmen tek ky klub”, përfundoi deklaratën e tij Alexis Sanches.
Përndryshe, këtë të diele Man.United takohet me Arsenal në “Old Traffoord” në kuadër të javës së 36-të në Premier League dhe kiliani pritet të jetë në fushë, në ndeshjen e parë kundër ish-skuadrës së tij.
Në takimin e kaluar të këtij sezoni në mes Arsenal dhe Manchester United, që u zhvillua në dhjetor të vitit të kaluar në “Emirates”, Sanchez ishte në fushë gjatë gjithë ndeshjes në fanellën e Arsenal, ndeshje të cilën “Topçinjtë” e humben në shtëpi me rezultat 1-3 nga skuadra e “Djajve të Kuq”. /Insporti.com