“Ali Baba” blen skuadër për shifër rekorde përfshirë të gjitha sportet

Basketboll 16 Gusht 2019 08:43

Joseph Tsai, një nga themeluesit e kompanisë “Ali Baba” është gati të paguajë shumën prej 2.11 miliardë eurosh për t’u bërë pronari i ardhshëm i skuadrës së NBA-së, Brooklyn Nets. Kjo është shuma më e lartë e paguar ndonjëherë në histori për të blerë një ekip, në të gjitha sportet.

Kjo shumë është aprovuar që në vitin 2018, kur Tsai, i lindur në Tajvan por me nënshtetësi kanadeze, hyri si bashkëpronar i Brooklyn. Asokohe ai pagoi 900 milionë euro për të blerë 49 për qind të aksioneve nga rusi Mikhail Prokhorov, që mbajti 51 për qind të aksioneve.

Palët ranë dakord, duke vendosur një klauzolë në kontratë, që brenda viti 2021, Tsai të paguante edhe 1.21 miliard euro për të blerë 100 për qind të aksioneve. Gjithsesi, themeluesi i “Ali Baba” ka shpejtuar për të kryer këtë blerje, duke qenë gati që tani për të kryer këtë manovër kolosale financiare.

Sipas revistës së njohur financiare “Forbes”, Joseph Tsai ka një pasuri prej 9.9 miliardë eurosh dhe e di që ky investim shumë shpejt do të japë frytet e tij. Me ardhjen e Kevin Durant dhe Kyrie Irving, ekipi pritet të ketë një impakt tjetër në aspektin e marketingut, përveç atij sportiv.