Alvarez e rrah brutalisht Smithin, i unifikon titujt e botës WBC dhe WBA

Boks 20 Dhjetor 2020 09:40

Saul ‘Canelo’ Alvarez e ka bërë një paraqitje pothuajse të përsosur për ta mposhtur Callum Smithin dhe për t’i fituar titujt e botës WBC dhe WBA në kategorinë super të mesme.

Boksieri meksikan shkëlqeu në meçin e zhvilluar të dielën në mëngjes në Teksas, sipas kohës sonë lokale, duke e mbizotëruar Smithin pothuajse në të gjitha 12 rundet me presion, grushte të njëpasnjëshme dhe mbrojtje të çeliktë, transmeton Gazeta Express.

Smith pati shumë vështirësi t’i japë grushte të forta Alvarezit dhe u duk u mposhtur në çdo rund si pasojë.

Ai luftoi me admirim por u mposht bindshëm sipas vlerësimit të gjyqtarëve: 119-109 119-109 117-111.

Alvarez – i cili e ka vetëm një humbje nga 57 luftëra në ring – tani mban titujt WBC dhe WBA në kategorinë super të mesme.

“Jam i shkatërruar. Erdha këtu për të fituar. Nuk mund të arsyetohem, ai ishte shumë i mirë”, e pranoi Smith pas meçit.

Ndërsa Alvarez u shpreh: “Kjo është njëra prej netëve më të mira që kam pasur. Do të kërkoj më shumë. I dua të gjithë titujt, nuk ka rëndësi se kush i mban ata. Unë nuk ia mbath nga askush. Kam luftuar kundër më të mirëve. Ia kam dëshmuar botës së jam luftëtari më i mirë”. 

-->