Alvarez vs Jacobs – raporti i plotë me video

Sporte luftarake 05 Maj 2019 08:48

Dueli midis Saul “Canelo” Alvarezit dhe Daniel “Miracle Man” Jacobsit, ishte paralajmëruar si meçi i vitit në boksin profesionist në Amerikë dhe lirisht mund të thuhet se nuk zhgënjeu adhuruesit e boksit.

Të dy boksierët e kategorisë së mesme, për plot 12 runde zhvilluan boks, i cili kishte elemente të shumta taktike, por edhe shkëmbime të hapura të goditjeve, që janë tipike për kategorinë e mesme, por nuk janë tipike për Alvrezin, boksierin më të mirë të kësaj gjenerate, i cili njihet për pjekuri taktike, raporton Insporti.

Madje, lirisht mund të thuhet se pikërisht pasi pësoi humbjen e vetme në karrierë nga Floyd Mayweather, Alvarez është pjekur shumë si boksier dhe ka nxjerrë mësime nga ai pësim, duke e ngritur nivelin e defanzivës dhe taktikës në të gjitha meçet.

Jacobs në anën tjetër, kërkoi titujt e botës në WBA, WBC dhe IBF, pasi kishte tejkaluar sëmundjen e kancerit dhe situata të rënda në karrierë dhe në jetë, duke arritur kështu në meçin më të rëndësishëm të karrierës, bën të ditur Insporti, duke cituar mediat amerikane.

Në fund Alvarez fitoi me vendim unanim të gjyqtarëve, pas 12 rundeve përgjatë të cilave fitoi më shumë pikë në saje të goditjeve precize dhe mbrojtjes së shkëlqyeshme.

Pas kësaj fitoreje, Alvarez mban titujt botërorë në tri nga katër federatat e mëdha dhe pa dyshim konfirmohet si boksieri më i mirë i gjeneratës në kategorinë e mesme, pas dy dueleve (një barazim dhe një fitore) me Gennady Golovkinin dhe një fitoreje me Daniel Jacobsin.