Amatorizëm total: Onoka prezantohet tek Arbëria, përfshihet në formacionin e ndeshjes Drita – Feyenoord

UEFA Conference League 23 Korrik 2021 16:35

Klubet e futbollit kosovar vazhdojnë të paraqesin “komedi” në opinion.

Henry Austine Onoka është futbollisti që është zyrtarizuar tek Arbëria dhe prezantuar me fanellën e këtij klubi, por ende po vazhdon të paraqitet te Drita, shkruan Zeri.info, transmeton Insporti.

Më 19 korrik KF Arbëria, përmes faqes zyrtare të klubit në “Facebook”, njoftoi për marrëveshjen e arritur.

23-vjeçari u prezantua me fanellën e klubit lipjanas, teksa në njoftim u tha se Onoka është huazuar për sezonin e ri (2021-2022).

Megjithatë, Henry Austine Onoka është përfshirë në skuadrën e Dritës për ndeshjen që nënkampionia e Kosovës e zhvilloi ndaj Feyenoordit të enjten mbrëma, ndeshje e cila përfundoi pa gola (0:0).

Image
Futbollistët që ishin në bankën rezervë për ndeshjen Drita – Feyenoord.

Mes klubeve është bërë një marrëveshje që vlen pasi Drita të përfundojë aventurën në garat evropiane, por kjo nuk është cekur në njoftim të klubit, me lojtarin që u prezantua menjëherë si lojtar i Arbërisë.

“Zeri.info” ka kontaktuar me drejtorin sportiv të Dritës, Valon Zymberin, i cili konfirmoi se futbollisti nga Nigeria do t’i bashkohet në huazim Arbërisë, pas ndeshjeve që Drita po i luan në Ligën e Konferencës.

“Ne kemi arritur marrëveshje për huazim pas përfundimit të ndeshjeve në Evropë. Ai do të shkojë në huazim për një vit te Arbëria” – ka deklaruar Zymberi. /Zeri.info

Image

-->