Amir Prepolli, menaxheri dhe rehatuesi i klubeve kosovare në Turqi

Futboll 22 Janar 2021 23:10

Amir Prepolli gjatë gjithë jetës së tij është marrë me futboll.

Amiri dikur ka qenë pjesë e disa skuadrave kosovare derisa në moshë të re ishte pjesë edhe e grupmoshave të reja të Përfaqësueses së Kosovës në kohën sa kjo e fundit nuk ishte e pranuar në UEFA dhe FIFA.

Prepolli që karrierën e ndërpreu në moshë të re për shkak të disa lëndimeve, assesi nuk ia nda futbollit, por tashmë jashtë vijave të gjelbra.

Ai punon se menaxher i futbollistëve dhe tash e disa vite merret edhe me aranzhmane të klubeve për fazat përgatitore që ato i kryejnë në bregdetin e Antalias në Turqi.

Prepolli që jeton dhe vepron në Turqi, në këtë dimër i ka rehatuar në Turqi shumë klube të Superligës së Kosovës.

Prishtina, Drita, Ballkani, Llapi, Arbëria dhe Malisheva janë klubet kosovare që janë udhëtuar në Turqi nëpërmjet Prepollit.

“Klubet janë të kënaqura me kushtet e ofruara këtu në Antalia. Këto janë kushtet shumë të mira për punë si dhe për ndeshje miqësore. Gjithçka dallon me Kosovën dhe Shqipërinë. Në Antalia është mundësia e mirë pasi që menaxherë dhe skautë nga e gjithë bota janë në këtë fazë afër klubeve dhe fare lehtë, edhe ekipet tona mund të fitojnë me transferimin e lojtarëve”, ka thënë Amir Prepolli të premten në një prononcim për “Zeri.info”, i cili iu ka ndihmuar futbollistëve nga Kosova që të transferohen në klube evropiane dhe premton se një gjë të tillë do ta bëjë vazhdimisht.

Krahas ekipeve kosovare, Amiri i ka nën menaxhim për përgatitje edhe disa skuadra nga Rusia, Ukraina, Kazakistani, Norvegjia, Shqipëria e Maqedonia e Veriut.

Prepolli gjithashtu merret edhe me aranzhimin e ndeshjeve miqësore.

Klubet tona në Turqi po i matin forcat me klube të forta të Evropës si Galatasray, Zenit, CSKA Moscow, Lokomotiv Moscow, Sion, Trabzonspor, Antalyaspor, Alanyaspor, Vorskla Poltava e të tjera.

Image

Ndryshe, Superkupa e Kosovës në futboll për edicionin e kaluar do të luhet në Antalia.

Pikërisht Prepolli e ka aranzhuar këtë ndeshje speciale për trofeun e tretë të futbollit kosovar pas titullit të kampionit dhe Kupës së Kosovës.

Kampionia aktuale e Superligës Drita dhe fituesja e Kupës së Kosovës Prishtina të shtunën do ta zhvillojnë ndeshjen finale të Superkupës dhe ky ballafaqim hynë në histori të futbollit kosovar si i pari që zhvillohet jashtë vendit.

Image

Më 23 janar duke filluar nga ora 11:50 (me kohën lokale në Kosovë), Drita dhe Prishtina do të ndeshen në stadiumin “Mardan”.

“Shumë shtete të forta preferojnë që Superkupën ta zhvillojnë në vende të tjera. Kjo do të jetë hera e parë edhe për futbollin tonë. Pengu i vetëm i kësaj sfide do të jetë që ndeshje do të luhet pa shikues për shkak të masave anti-COVID-19 në një stadium shumë të mirë si ai i “Mardan”, përfundoi Amir Prepolli.

Kjo sfidë do të transmetohet në Art Sport 1 dhe Klan Kosova. 

-->