Analistët flasin për golin “fantazmë” të Shillovës ndaj Llapit

Goli i dytë i Drenicës i shënuar nga sulmuesi Alban Shillova ka qenë ndër më i diskutuari në xhiron e 24-të të IPKO Superligës së Kosovës. Përveç golit në dyshim është vënë edhe fitorja e Drenicës, pasi në medie u raportua se ndeshja ishte “kurdisur”, raporton Insporti.com.
Shillovës iu pranua goli i dytë nga gjyqtari kryesor, Besfort Kasumi me një vonesë 20 sekondëshe pas konsultimit me gjyqtarin anësor.
Megjithatë, në pamjet televizive gjyqtari anësor e ka pasur tejet të vështirë ta shohë se a ka kaluar topin vijën.
Analistët në emisionin “Sport Shou” në Klan Kosova, Ardian Llumnica dhe Arben Zeqiri dhanë mendime të ndryshme.

Sipas Llumnicës, goli është i rregullt dhe me të drejtë është pranuar pasi “kur topi ishte në ajër ka kaluar vijën fundore dhe se portieri me instinktin e tij e ka kthyer në vijë”.
Ndërsa, Arben Zeqiri, ish-futbollist i njohur, thekson se topi në bazë të pamjeve i gjithë perimetri i topit nuk e ka kaluar vijën.
Në mbështetje të Zeqirit ishte edhe gazetari, Driton Latifi.
Rreth akuzave për kurdisje ka reaguar edhe trajneri i Llapit, Tahir Batatina i cili i ka mohuar këto akuza dhe ka ftuar prokurorinë të fillojë hetimet.
Drenica me këto tri pikë të plota renditet në pozitën e shtatë me 34 pikë. /Insporti.com/