Anatomia e një kurdisjeje – Dinamo – Skënderbeu (dokumente dhe video)

Futboll 18 Shkurt 2018 12:57

Në raportin hetimor të UEFA-s për ndeshjet e KF Skënderbeu që dyshohen si të kurdisura, studiohet në mënyrë të detajuar ndeshja ndërmjet Dinamo Zagrebit dhe Skënderbeut, e zhvilluar në Zagreb, në kuadër të kualifikimeve për Ligën e Kampionëve në sezonin 2015/16.

UEFA liston të gjitha faktet që i kanë bërë inspektorët e saj të dyshojnë në kurdisje dhe Insporti ju sjell ekstrakte nga dokumenti i UEFA-s e pamjet nga ndeshja.

Në dokument thuhet se provat janë të qarta se ndeshja ka qenë e manipuluar për qëllime të bastvënies dhe se Skënderbeu ka tentuar ti pësojë dy gola.

Faktet e listuara në dokument janë:

  • Rezultati final i ndeshjes ka qenë 4:1 (PP 2:1) dhe Skënderbeu ka luajtur me fanella të bardha
  • Kjo ka qenë ndeshje e kthimit e këtij dueli. Në ndeshjen e parë kishte përfunduar 1:2, me fitore të Dinamos si mysafir
  • Aktivitete shumë të dyshimta të bastvënies kanë filluar përnjëherësh kah mesi i pjesës së dytë. Kur rezultati ishte 3:1 në favor të Dinamos (duke e lënë Skënderbeun pa gjasa reale për tu kualifikuar në xhiron e ardhshme) dhe Dinamo ishte në disavantazh numerik në fushë, shuma të hatashme të parave u vënë në baste që do të shënohen më shumë gola në pjesën e dytë, gjë që ishte në kundërshtim me logjikën: sërish, Dinamo po luante me një lojtar më pak dhe e kishte po thuajse të garantuar kualifikimin tutje
  • Aq të palogjikshme ishin bastet, saqë sistemi BFDS e hetoi që bastvënësit ishin të vetëdijshëm se do të shënohet edhe një gol dhe po tentonin të maksimizonin përfitimet e tyre nga tregjet e basteve
  • Në këtë pikë Skënderbeu vendosi të fitojë shuma serioze të parave, duke tentuar që të pësojë gola duke tentuar të rrisë përfitimet nga bastoret në vend të përfitimeve nga rezultate sportive, që nuk mund të arrinte më
  • Me një lojtar më shumë në fushë, lojtari i Skënderbeut Renato Arapi, reagon shumë ngadalë në një top që vendosi aksionin për gol dhe më pas nuk e ndoqi fare kundërshtarin e tij
  • Portieri Orges Shehi po ashtu reagoi në mënyrë shumë të dyshimtë, duke vendosur të qëndrojë në vijë dhe jo të mbrojë këndin e tij
  • Eksperti i UEFA-s z. Tom Mace me dëshirë mund të japë shpjegime numerike në seancën dëgjimore

Në raport thuhet se lojtarët e Skënderbeut me vetë dëshirë “u ndalën së luajturi” dhe përfituan nga ndeshja me qëllime koruptive bastvënieje. Po ashtu thuhet se Skënderbeu është e vetmja palë pjesëmarrëse nga dy klubet në këtë kurdisje të dyshuar.

-->