Ander Herrera e pështyn stemën e Manchester City (Video)

Futboll 09 Prill 2018 11:47

Derbi i Manchesterit i cili u zhvillua të shtunën në stadiumin “Etihad” në mes të City dhe United, normalisht që kishte zgjuar shumë vëmendje, për shkak edhe se në rast të fitores së “Cityzens” ata do të shpalleshin kampion.

Sido që të jetë, përkundër se City ishte duke udhëhequr 2-0 pas pjesës së parë, në atë të dytën, United u këndellën dhe arritën ta përmbysin rezultatin duke fituar në fund 2-3.

Përpos ndeshjes në fushë, gjithnjë në një rivalitet të tillë, shikohen edhe detajet ndër më të voglat, nga ajo e mbulimit të logos së City-t në karrigen ku ishte ulur Alex Ferguson, e deri tek momenti kur përfundoi pjesa e parë, ku mesfushori i United, Ander Herrera, i cili është kapur nga kamerat që para se të futej në tunel, e pështyn stemën/logon e Manchester City në fushë.

Normalisht që një gjest i tillë do të diskutohej dhe do të polemizohej me të, përkundër se Herrera përmes një deklarate e ka mohuar se gjestin e kishte bërë me qëllim.

Tek City besojnë se Herrera e ka pështyrë stemën e tyre me qëllim, por ende nuk janë ankuar në Federatën Angleze të futbollit, derisa në anën tjetër, përfaqësuesit e Man. United kanë mohuar ne lojtari i tyre e ka bërë këtë gjest me qëllim.

“Herrera pasi i kishte parë pamjet, ka pranuar se ka qenë plotësisht aksidental dhe jo i qëllimshëm momenti kur kishte pështyrë. Ai ka pohuar se ka ndodhur aty vetëm për shkak se fillonte hyrja e tunelit”, kanë pohuar nga klubi i Manchester United.

Sido që të jetë, e qëllimshme ose jo, të dyja palët e interpretojnë ndryshe këtë gjest ta mesfushorit spanjoll, i cili më pas ishte asistues tek goli i parë i “Djajve të Kuq”. /Insporti.com

-->