Andin Lokaj “shpërthen” për këtë fakt pas ndeshjes Feronikeli – Milan

Futboll 11 Gusht 2019 11:03

Feronikeli është mundur 2:0 në miqësoren kundër Milanit në “Fadil Vokrri”, të shtunën mbrëma, në një përballje miqësore që mbeti nën hijen e audiencës jashtëzakonisht të ulët në stadium.

Suso dhe Fabio Borini realizuan golat e vetëm në takimin ku “Nikli” e pati të vështirë që ta kalonte qoftë edhe mesin e fushës me raste.

Sidoqoftë, dallimi në kualitet është tepër i madh dhe asgjë më shumë se humbja nuk pritej.

Këtë e di edhe kolumnisti dhe analisti i Periskopit, Andin Lokaj, i cili nuk është befasuar me humbjen por me çasjen e dobët të trajnerit të ri të skuadrës nga Drenasi, Dejan Vukicevic.

“Futbolli është nivele – nivele, është pritur ndeshje e tillë ngase dallimet në kualitet dihen, Feronikeli është larg Millanos siç është aktualisht edhe Millano larg me kualitet nga Barcelona, Real Madridi apo Liverpooli,” u shpreh fillimisht Lokaj.

“Por ajo që ishte e papritshme ka të bëjë me çasjen totalisht të gabuar të lojës nga trajneri i sapoardhur Vukicevic i cili nuk ndryshoi absolutisht asgjë në dallim me atë paraqitjen skandaloze në Europa League me Slovan Bratisllavën”, tha Lokaj.

“Kjo situatë është alarmante ngase brenda 90 minutave nuk pamë asnjë aksion serioz perveç tek ai rasti i shtyllës e rastet duhet krijuar më tepër pa marrë parasysh cili kundërshtar është në terren, Millano ishte sonte por njejt shkoi edhe me Sllovanin.”

“Pra, nuk ka koncept. Feronikelin e pret shumë punë në ndryshim të filozofisë së lojës dhe duhet të ndryshojë urgjentisht, përndryshe do të ketë telashe serioze edhe në kampionatin e ri i cili starton javën e ardhshme”, përfundoi ai.

 

-->