Anthony Joshua mund të ndeshet me këtë boksier dhe nuk është Deontay Wilder

Boks 23 Prill 2018 15:50

Të gjithë janë duke e pritur konfirmimin e meçit në mes Anthony Joshua dhe Deontay Wilder, por duket se përballja e radhës e Joshua nuk do të jetë ajo, por ai do të mund të ndeshet me një tjetër boksier.

Këtë lajm e ka pohuar promotori i boksit, Andrey Ryabinskiy, që përndryshe ka konfirmuar se kontaktet e para me ekipin e Anthony Joshua veçse kanë filluar.

Ryabinskiy, është promotori i boksierit rus, Alexander Povetkin dhe i cili ka deklaruar se janë duke u munduar me ngulm që ta sigurojnë meçin në mes Anthony Joshua dhe Alexander Povetkin, i cili do të mbahej në Britani.

“Mendoj se secili boksier duhet të ndeshet me më të mirin, që të dëshmojë se meriton të quhet më i miri. Nuk shohë ndonjë arsye pse Joshua nuk do të ndeshej me Povetkin”, tha Ryabinskiy.

“Do të ishim të lumtur që meçi të zhvillohej në Angli, pasi të dy boksierët kanë shumë tifozë atje, për shkak se ka shumë rusë që jetojnë në Angli dhe do të ishin të interesuar ta përcillnin këtë ballafaqim”.

Megjithatë, nëse meçi do të ndodhte, ai do të mund të zhvillohej në Rusi, apo edhe në SHBA.

“Po, është e mundshme që përballja të zhvillohej në Rusi, pasi stadiumi Luzhniki sapo është rinovuar dhe është një stadium legjendar me një kapacitet të madh për një meç të përmasave të tilla. Mirëpo, edhe SHBA-së, është një opsion i mirë dhe i mundshëm ku mund të ndodhte ky meç”, vazhdoi Ryabinskiy.

“Ne kemi filluar diskutimet e para me ekipin e Joshua lidhur me këtë meç dhe promotori i Anthony Joshua, Eddie Hearn, është një promotor shumë u respektuar dhe ne e konsiderojmë si partnerin tonë. Shpresojmë që do të kemi negociata të frytshme që në fund do të rezultojnë me një marrëveshje për ta zhvilluar këtë meç, që do të zgjonte interesim shumë të madh, pasi të dy janë ndër boksierët më të mirë në botë sot”, përfundoi deklaratën e tij Andrey Ryabinskiy. /Insporti.com

-->