Arben Fetahu flet për parakualifikimet e Botërorit dhe trajnerin e ri të Kosovës

Kombëtarja 30 Tetor 2019 08:28

Në Mies të Zvicrës gjatë ditës së djeshme është hedhur shorti për raundin e parë të para-kualifikimeve për Kupën e Botës 2023.

Basketbollistët e Kombëtares së Kosovës do të jenë në grupin B, së bashku me Islandën, Sllovakinë dhe Luksemburgun.

Kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës Arben Fetahu ka komentuar tërheqjen e shortit në një intervistë për KosovaPress. Ai tha se duke parë kundërshtarët në këtë grup shpreson në një kualifikim në raundin e dytë kualifikuese.

“Mendoj që do të ishte reale që të presim rezultatet pozitive në këtë grup. Islanda është një përfaqësuese me të cilën nuk jemi përballë më parë asnjëherë, ndërsa me Sllovakinë edhe Luksemburgun jemi përballë me to, kemi pasur edhe fitore edhe humbje ndaj të dyja prej tyre. Por në të dy rastet kur kemi luajtur ndaj tyre ka qenë në përbërje jo të plotë. Shpresoj se do të kemi rikthimin me kohë të duhur të dy apo tre lojtarëve tanë që aktualisht janë të lënduar dhe shpresoj që në rezultat pozitiv”, tha Fetahu.

Fetahu gjithashtu pohoi se bordi i kësaj Federate është duke punuar që ta gjejë sa më shpejt trajnerin e ri të Kosovës, për të filluar sa më herët përgatitjet për ciklin kualifikues.

“Jemi duke punuar në atë drejtim. Kemi punuar që nga përfundimi i marrëveshjes apo bashkëpunimit që kemi pasur me trajneri Mulaomerovic. Nuk jemi në nguti, do të thotë nuk ka ndonjë nguti që të emërojmë para fundit të këtij viti. Shpresoj që Bordi i Federatës ta emërojë trajnerin e ri deri më 31 dhjetor të këtij viti… Kemi shumë emra me të cilët jemi duke punuar shumë ngushtë, mirëpo për momentin është shumë herët që të flasim për emra të përveçëm. Kur të kemi një listë të ngushtë, atëherë do të kemi mundësi të flasim më shumë për të”, tha kryetari i FBK-së.

I pari i FBK-së foli edhe për Superligën e Kosovës në basketboll, si dhe për rikthimin e një prej klubeve më të mëdha në basketbollin kosovar, atë të KB Pejës. Ai rikthimin e skuadrës pejane e sheh si një impuls plus për basketbollin kosovar.

Kujtojmë që takimet kualifikuese të Kosovës do të zhvillohen me sistem vajtje-ardhje, sipas të cilës kombëtarja e Kosovës në basketboll në këto gara do të luajë gjashtë ndeshje në grup.

Ndeshjet do të zhvillohen gjatë periudhës 17-25 shkurt 2020, 23 nëntor-1 dhjetor 2020 dhe 15-23 shkurt 2021.

Gjithashtu vlen të theksohet se nga ky grup dy ekipet e para do të kualifikohen në raundin e dytë kualifikuese.

-->