Arena Kombëtare – zbulohet koha e inaugurimit

Futboll 24 Shkurt 2018 09:05

Arena Kombëtare, stadiumi i futbollit në Tiranë, ku pritet ti zhvillojë ndeshjet kombëtarja e Shqipërisë është duke u bërë gati që të presë kundërshtarët e Shqipërisë në Ligën e Kombeve.

Stadiumi do të ketë kapacitet 22,500 ulëse dhe do të ndërtohet në tokën ku dikur ka qenë Stadiumi Kombëtar Qemal Stafa, i cili u rrënua më 2016.

Në fundin e muajit shkurt, tri nga tribunat tashmë kanë marrë formë. Duke nisur nga ndërsa edhe pjesa veriore mbrapa portave tashmë po ngrihet në nivelin e të tjerave.

Pas vendosjes së strukturave metalike dhe pjesëve të betonit, në këto sektorë ka nisur puna për shkallët, ndërsa më pas do të marrë formë edhe tribuna kryesore e stadiumit më të madh në Shqipëri.

Punimet në tribuna po shkojnë drejt përfundimit dhe kjo konfirmohet nga fakti se në pjesën e brendshme të stadiumit, aty ku do të jetë fusha e lojës, tashmë është montuar edhe një kran i përmasave të jashtëzakonshme, me kapacitet 600 tonë.

Makineria e ardhur nga Rusia, përballë së cilës të gjitha makineritë e tjera të rënda duken shumë të vogla, do të shërbejë për punimet në pjesët më të larta të tribunave, si edhe strukturën metalike që do të përbëjë mbulesën e impiantit.

“Arena Kombëtare” pritet të përfundojë në vjeshtën e këtij viti, për të qenë gati për të pritur ndeshjet e Kombëtares kuqezi, duke nisur nga duelet në Ligën e Kombeve që Shqipëria do të luajë me Izraelin dhe Skocinë.

-->