Arsyeja pse të gjithë duhet ta shikojnë sot garën e Formulës 1

Formula 1 25 Nëntor 2018 09:55

Gara për Shpërblimin e Madh të Abu Dhabit në Formula 1 është gara përmbyllëse e sezonit 2018 në sportin më të shpejtë në botë.

Edhe pse dihet tashmë se Lewis Hamilton është kampion i ri në konkurrencën e shoferëve dhe sivjet ka fituar titullin e më të mirit për herë të pestë në karrierë, kurse Mercedesi u konfirmua si kampion i konstruktorëve, është një arsye pse të gjithë duhet ta shikojnë garën e sotme.

Kjo do të jetë gara e fundit në Formula 1 e Fernando Alonsos, kampionit të dyfishtë në Formula 1 dhe njërit nga shoferët më të mirë në histori, transmeton Insporti nga vlerësimet që bëhen në mediat angleze.

Alonso kishte bërë karrierë të shkëlqyeshme në dekadën e kaluar, duke u bërë kampion më 2005 dhe 2006 si shofer i ekipit Renault dhe duke përfunduar vetëm një pikë prapa kampionit të vitit 2007, Kimi Raikkonenit të Ferrarit.

Mirëpo, që nga ai sezon  tutje, për një dekadë të tërë karriera e Alonsos ka qenë një tregim i gjatë i një shoferi i cili nxjerr më shumë se maksimumin nga bolidi i tij, por kjo nuk i mjafton për të fituar titullin e botës, madje kohëve të fundit nuk i mjaftonte as për tu ngjitur në podium të ndonjë gare.

Spanjolli kishte disa vite në Ferrari kur e rivalizoi Sebastian Vettelin, i cili fitoi katër tituj me Red Bullin, kurse adhuruesve të Formulës 1 u kujtohet viti 2009 dhe mënyra se si Alonso u ngujua prapa rusit Vitali Petrov dhe pikërisht në Abu Dhabi e humbi titullin, kujton Insporti.

Faqja zyrtare e Formulës 1 ka përgatitur një video homazh për Alonson, që ju ftojmë nga zemra ta shikoni dhe përjetoni.

Gara për Shpërblimin e Madh të Abu Dhabit fillon në ora 14:10 sipas kohës sonë.