Arteta tregon më të rejat për Mustafin pas lëndimit të mbrëmshëm

Futboll 28 Janar 2020 09:19

Trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta, ka konfirmuar se Arsenali do të futet në tregun e këtij afati kalimtar, pas lëndimit të Shkodran Mustafit gjatë fitores 2:1 në rundin e katërt të FA Cup kundër Bournemouthit.

‘Topçinjtë’ mbrëmë siguruan fitore me rezultat 2:1 në stadiumin Vitality për të avancuar në rrethin e pestë.

Dy golashënuesit e Arsenalit ishin dy performuesit më të mirë nga skuadra e re e klubit londinez, në një natë kur opsionet e Artetas në vijën e mbrojtjes u zvogëluan edhe më shumë shkaku i lëndimit të Mustafit.

Strategu spanjoll e konfirmoi se qendërmbrojtësi shqiptar është lënduar dhe zbuloi se klubi dëshiron të sjellë lojtarë të rinj para se të mbyllet ky afat kalimtar.

“Ne do të duhet ta vlerësojmë lëndimin e tij, por kur qendërmbrojtës duhet të dalë nga loja, zakonisht nuk është shenjë e mirë”, tha Arteta, pas ndeshjes për BBC.

“Ne jemi në tregun e afatit kalimtar. Jemi duke i kërkuar disa gjëra me burimet qe i kemi dhe do të lajmërojmë kur të kemi diçka më shumë për të thënë”.

Mbrojtësi 27-vjeçar do t’i nënshtrohet një skanimi në kyçin e këmbës për të mësuar edhe shkallën e lëndimit.

-->