As Zidane s’mund ta shpëtojë Realin

Futboll 28 Prill 2019 22:56

Rayo Vallecano ka regjistruar fitore shumë të rëndësishme ndaj Real Madridit (1-0) në përpjekjet e fundit për t’i shpëtuar rënies nga La Liga.

Adri Embarba e mori përgjegjësinë për vendasit nga penalltia dhe rezultoi i saktë nga pika e bardhë duke e zhbllokuar rezultatin (23′).

Në pjesën e dytë, Bebe pati një mundësi të mirë, mirëpo Courtois intervenoi për të mos pranuar gol tjetër.

Gareth Bale pati një shans nga gjuajtja e lirë, teksa më pas me ndihmën e VAR-it, gjyqtari vendosi se nuk kishte penallti për Realin në një rast të dyshimtë.

Përkundër kësaj humbjeje, Real Madridi e ka të sigurt pozitën e tretë në tabelë dhe kualifikimin në Ligën e Kampionëve, derisa Rayo Vallecano ka edhe tri ndeshje në dispozicion për të shpresuar për mbijetesë.

Vallecano është mysafir i Levantes në xhiron e ardhshme, kurse Los Blancos janë nikoqirë të Villarrealit.