Asambleja e Zakonshme e FSHF-së, priten disa ndryshime

Futboll 15 Prill 2019 09:54

Po zhvillohet në hotel “Tirana Internacional” Asambleja e Zakonshme e Futbollit Shqiptar me praninë e të gjithë anëtarëve të saj.

Në këtë Asamble  do të bëhet analiza e punës  mes dy asambleve, do të miratohen raportet financiare, pas auditimit përkatës, si dhe do të zyrtarizohen disa ndryshime në bazë të propozimeve të bëra, ku ndër më të rëndësishmit është propozimi për të drejtën televizive. Në këtë pikë, FSHF synon të bëhet pronare e vetme e saj, pa klubet.

Një tjetër ndryshim, që prek drejtpërdrejt klubet, është pagesa e lojtarëve. FSHF propozon që koha e shlyerjes së futbollistëve, sipas kontratave, të kalojë nga 3 muaj vonesë në vetëm 30 ditë.

Nëse ky afat kalohet, atëherë klubi përkatës mund të penalizohet nga Dhoma e Zgjidhjes së Konflikteve. Kjo e fundit mund të vendosë pastaj: paralajmërim, qortim, gjobë; pezullim i regjistrimit të lojtarëve të rinj (në nivel kombëtar, ose ndërkombëtar) për një ose dy periudha të njëpasnjëshme.

Asambleja e Zakonshme do të zyrtarizojë si anëtarë të saj edhe disa emra të rinj, si Shënkolli, Vora, Oriku, Internacional dhe Spartaku. Do të ketë edhe çregjistrime në këtë drejtim, për klube që ekzistojnë vetëm në letër, si Sukthi, Himara, Adriatiku Mamurras, Pojani, Poliçani, Bilisht Sport, Fieri, KS Vlora, Olimpik. Ato pritet të anëtarësohen pranë shoqatave rajonale përkatëse. /SS/

-->