Ashley Coles i pengojnë pemët afër shtëpisë, kjo është kërkesa e tij

Futboll 16 Qershor 2019 20:16

Ashley Cole ka bërë një kërkesë mjaft interesante në këshillin lokal afër shtëpisë së tij, derisa dëshiron t’i presë pemët afër oborrit të tij, të cilat po lëshojnë shumë hala dhe po ia pengojnë dritën.

Futbollisti anglez, Ashley Cole ka kërkuar leje për t’i prerë nëntë pemë afër shtëpisë së tij.

38-vjeçari është ankuar për halat e pishës që po bien në kopshtin e shtëpisë së tij. Ai ndjen se pemët problematike – që janë të mbrojtura me ligj të veçantë – janë duke e prishur bukurinë e kopshtit të tij dhe ka kërkuar aprovim nga këshilli për t’i prerë.

Cole, i cili ishte lënë nga ish-gruaja e tij Cheryl Tweedy në vitin 2010 për shkak të tradhtive të tij, ka shpenzuar 2.4 milionë funte në shtëpinë e tij me shtatë dhoma gjumi në Surrey.

Në një letër të dërguar këshillit lokal, kujdestari i pemëve të ish-yllit të Chelseat e Arsenalit ka shkruar: “Klienti im dëshiron që t’i heq këto pemë për shkak se ato lëshojnë shumë hala dhe ai do të dëshironte më shumë dritë. Pemët janë shumë të anuara gjithashtu, një reduktim i keq është bërë dhe ato nuk janë prekur”.

Planifikuesit në këshillin e Mole Valleyt pritet që të marrin një vendim më vonë gjatë këtij muaji. Kjo lëvizje e Colet vjen pas rikthimit të tij nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku ai kishte luajtur për LA Galaxyn.

Ai iu bashkua Derby Countyt në janar dhe u ribashkua me ish-bashkëlojtarin, Frank Lampard, i cili e drejton klubin anglez.

Së fundmi një burim i afërt i Colet tha: “Ashley mezi po pret që ta stabilizojë jetën e tij në Surrey dhe ai ka shumë shokë aty pranë”.

Cole famën e tij më të madhe e arriti me Chelsean, klub në të cilin luajti gjatë periudhës 2006-2014 dhe me të cilin ka fituar Ligën e Kampionëve, Premierligën, Ligën e Evropës, Kupën e Ligës dhe katër herë Kupën FA.

Nga shumëkush ai konsiderohet si mbrojtësi i majtë më i mirë i gjeneratës së tij, derisa ka qenë edhe reprezentues i Anglisë, me të cilën ka zhvilluar plot 107 ndeshje.