Ashtu siç pritej – Shqipëria e “fundos” San Marinon

Kombëtarja 08 Shtator 2021 22:49

Sikurse pritej, kuqezinjtë kanë fituar me goleadë, 5-0 ndaj San Marinos, kundërshtarit modest të grupit I, ndaj të cilit të gjithë kanë “shfrenuar fantazinë” me gola.

Sidoqoftë, deri në zhbllokimin e rezultatit, pas 30 minutash lojë, tensioni dukej qartë te kombëtarja jonë.

Dominimi në lojë ishte absolut, por goli nuk po dilte në dritë. Kundërshtari mbrohej me gati dhjetë forca në zonën e 16-metërshit. E megjithatë, konsumimi fizik nuk do të vononte te San Marino, duke nisur nga pësimi i golit të parë nga Rey Manaj në minutën e 32-të. Aty ndryshoi edhe historia e kësaj kualifikueseje.

Kuqezinjtë u çliruan psikologjikisht dhe nuk e ulën ritmin për asnjë moment, me mësymje drejt zonës kundërshtare. Manaj shënoi edhe dy gola të tjerë, por u konsideruan të parregullt nga VAR-i. Pjesa e parë u mbyll me fitoren minimale të tanëve.

Në të dytën bëhen zëvendësime. Heroi i fitores ndaj Hungarisë, para tri ditësh, Armando Broja zuri vendin e Bajramit. Në minutën e 58-të, Laçi dyfishoi shifrat, duke i dërrmuar përfundimisht shpresat e San Marinos, e cila kthehet në “tabelë qitjeje” deri në fund.

Kështu, Broja trefishoi epërsinë në minutën e 61-të, para se Hysaj të kompletonte “pokerin” në minutën e 68-të dhe pastaj Uzuni të vuloste gjithçka 5-0 në minutën e 80-të. “Festival golash”, që vlejnë tri pikë të çmuara në rrugëtimin kualifikues drejt “Katar 2022”.

Lajm i mirë për kuqezinjtë ishte barazimi i Anglisë ndaj polakëve, në fushën e këtyre të fundit, duke bërë që Shqipëria të pozicionohet e dyta në grup për momentin, me 12 pikë, para sfidave të tetorit. Hungaria kaloi pa probleme Andorën, duke fituar 2-1 dhe ndarë vendin e tretë e të katërt me polakët, me nga 11 dhe 10 pikë respektivisht (para Lewandowski me shokë).

Mund të jetë një imazh i 3 persona dhe personat duke marrë pjesë në sporte

-->